Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive.
Krujë-Finalizohet operacioni policor i koduar “Rreshtat”, për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve.Kishin përshtatur një ambient afër banesës së tyre, në fshatin Picërragë, për tharjen e bimëve narkotike, vihet në pranga 1 shtetas, procedohet në gjendje të lirë bashkëshortja e tij.Sekuestrohen 3.2 kg lëndë e dyshuar narkotike në proces tharjeje dhe 1 armë gjahu që u gjet gjatë kontrollit në këtë banesë.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Krujë, në vijim të punës për garantimin e rendit dhe sigurisë, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale, kapjen në flagrancë të shtetasve që kryejnë vepra penale, kontrolleve të ushtruara për parandalimin e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, bazuar në informacionet e siguruara, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Rreshtat”.Si rezultat i këtij operacioni u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit Xh. I., 60 vjeç, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen Dh. I., 51 vjeçe, të dy banues në fshatin Picërragë.Këta 2 shtetas kishin përshtatur një ambient në afërsi të banesës së tyre, në fshatin Picërragë, për tharjen e bimëve narkotike.Gjatë kontrollit në këtë ambient, shërbimet e Policisë gjetën rreth 3.2 kg lëndë të dyshuar narkotike kanabis dhe disa bimë në proces tharjeje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, bashkë me 1 armë gjahu, që u gjet gjatë kontrollit në banesë.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
DVP Shkodër/Vihen në pranga 2 shtetas, shpallet në kërkim 1 shtetase dhe procedohen në gjendje të lirë 3 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale.
Specialistët për Hetimin e Trafiqeve dhe Narkotikëve kanë vënë në pranga shtetasin B. K., 23 vjeç, banues në Shkodër, pasi gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i kanë gjetur një sasi lënde të dyshuar narkotike kokainë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Në lidhje me këtë rast, nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin S. H., 22 vjeç, banues në Shkodër, pasi ka kundërshtuar punonjësit e Policisë, gjatë shoqërimit të shtetasit B. K., në Komisariat.
Specialistët për Hetimin e Krimeve kanë arrestuar në flagrancë shtetasin A. Gj., 38 vjeç, banues në fshatin Berdicë, Shkodër, pasi ka ushtruar dhunë ndaj një shtetasi të mitur 13-vjeç, për shkak se 13-vjeçari ishte konfliktuar me djalin e tij.
Po këta specialistë kanë referuar materialet në Prokurori dhe kanë shpallur në kërkim shtetasen S. D., 22 vjeçe, banuese në Shkodër, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Gjithashtu, këta specialistë kanë referuar materialet në Prokurori ku vijon procedimi në gjendje të lirë për shtetasin D. L., 27 vjeç, banues në Shkodër, pasi u konstatua duke transportuar dru zjarri të prera në mënyrë të paligjshme. Në lidhje me këtë rast, nisi procedimi në gjendje të lirë edhe për shtetasin Gj. N., 46 vjeç, banues në Shkodër, pasi i ka ka ndërprerë rrugën automjetit të Policisë, me automjetin e tij, dhe ka kundërshtuar punonjësit e Policisë, gjatë shoqërimit të shtetasit D. L., në Komisariat.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.
Lezhë-Po kthehej nga Spanja, në vendin tonë, duke qenë i shpallur në kërkim nga Gjykata e Apelit Shkodër, e cila e kishte dënuar me mbi 6 vjet burgim, për një tentativë për vrasje, ndalohet 35-vjeçari.Si rezultat i verifikimit të gjenealiteteve, përpunimit të të dhënave dhe shkëmbimit të këtyre informacioneve me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve ndaj Personit dhe Pasurisë, të DVP Lezhë, në hyrje të vendit, shërbimet e Policisë Kufitare të Rinasit ndaluan shtetasin e shpallur në kërkim, i cili vinte nga Spanja, Albert Margjoni, 35 vjeç.Në vitin 2017, Gjykata e Apelit, Shkodër, e ka dënuar 35-vjeçarin, me 6 vjet e 8 muaj burgim, për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.Në vitin 2009, shtetasi Albert Margjoni ka qëlluar me armë zjarri kallashnikov, në drejtim të automjetit me të cilin lëvizte shtetasi E. M. Nga të shtënat mbeti i plagosur shtetasi E. M.35-vjeçari iu dorëzua Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, për kryerjen e veprimeve të mëtejshme.
Lezhë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Fatura”, kundër tregtimit të mallrave të kontrabanduara në vendin tonë.Transportonte me furgon, me qëllim shitjen, mallra të ndryshme për konsum (me vlerë 100 000 lekë), të dyshuara të kontrabanduara në vendin tonë, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 26-vjeçari.Sekuestrohen 216 koli me kanaçe me pije dhe 190 kuti me mallra të ndryshme, furgoni me të cilin transportoheshin, 800 000 lekë të përfituara nga shitja e këtyre mallrave dhe celulari i të arrestuarit.Si rezultat i administrimit të menjëhershëm të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative, se një shtetas transportonte me furgon, sasi të konsiderueshme mallrash të kontrabanduara, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me ata të Forcës së Posaçme “Shqiponja”, të DVP Lezhë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Fatura”, si rezultat i të cilit u vu në pranga shtetasi B. J., 26 vjeç, banues në Kukës.26-vjeçari u kap në flagrancë, në Mirditë, teksa transportonte me furgon, me qëllim shitjen, 216 koli me kanaçe me pije dhe 190 kuti me mallra të ndryshme, me vlerë 100 000 lekë. Mallrat dyshohet se janë kontrabanduar në vendin tonë, pasi ishin të papajisura me faturat tatimore apo me deklaratat e origjinave.Mallrat dhe produktet që transportonte shtetasi B. J. u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, së bashku me furgonin, celularin e këtij shtetasi dhe me 800 000 lekë që iu gjetën gjatë kontrollit fizik, që dyshohet se janë përfituar nga shitja e këtyre produkteve.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 98 shtetas, konkretisht: 22 shtetas janë vënë në pranga, 63 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 13 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Për lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve janë shpallur në kërkim, vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policisë.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste – 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 5 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas tjetër, i shpallur në kërkim ne kuadër të operacionit “Tempulli”, është kapur dhe vënë në pranga.
Në fushën e mbajtjes pa leje të armëve dhe municionit luftarak, janë evidentuar 5 raste- 2 shtetas është vënë në pranga dhe 4 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas tjetër, i shpallur në kërkim për këtë veprimtari kriminale, është kapur dhe vënë në pranga
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 13 raste- 2 shtetas janë vënë në pranga dhe 15 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas i shpallur në kërkim për vrasje, është kapur dhe ndaluar.
Janë evidentuar 5 raste të krimeve ekonomike- 1 shtetas është vënë në pranga dhe 4 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i organizimit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Për veprat penale në fushën e vjedhjen së pronës dhe pasurisë janë evidentuar 9 raste, dy prej të cilave me autorë ende të paidentifikuar. Për rastet e tjera, 3 shtetas janë vënë në pranga, 7 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër mjedisit dhe veprave penale dhe objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 11 raste, 12 shtetas janë proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 10 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, me 3 shtetas të vënë në pranga, 4 shtetas janë shpallur në kërkim dhe 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 13 kërkesëpadi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar 5 raste të mosbindjes/kundërshtimit të urdhrit të punonjësve të Policisë, me 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. 1 shtetas tjetër i shpallur në kërkim për këtë vepër penale, është kapur dhe vënë në pranga. Gjithashtu, janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 1 shtetas të vënë në pranga dhe 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, “Falsifikimi i dokumenteve”, “Vetëgjyqësia”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, “Kanosja për shkak të detyrës”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, “Fyerja” dhe “Shpifja”, me 10 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private” dhe “Kanosja për shkak të detyrës”, secila me autor ende të paidentifikuar, si dhe 1 rast i veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetase të shpallur në kërkim.
Gjithashtu, 1 shtetas i kërkuar për veprën penale “Prishja e qetësisë publike” dhe 2 shtetas të kërkuar për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, janë kapur dhe vënë në pranga.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 aksidente, si pasojë e të cilave 1 shtetas ka humbur jetën dhe 3 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 13 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, njëri prej tyre me autor ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera- 5 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 7 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë. Për një aksident të mëparshëm, drejtuesi i automjetit është identifikuar, kapur dhe vënë në pranga
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.