Kurbin/ Intensifikohen kontrollet për konstatimin e ndërtimeve pa leje dhe për nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale të shtetasve përgjegjës.
Ndërtoi pa leje në zonën “Laguna e Patokut”, në Laç, një objekt njëkatësh me qëllim përdorimi për lokal, vihet në pranga 61-vjeçari.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin, në vijim të intensifikimit të kontrolleve për parandalimin e konstatimin e ndërtimeve pa leje dhe të krimeve të tjera kundër mjedisit, me fokus zonat bregdetare e zonat e mbrojtura, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin Z. T. 61 vjeç, banues në Laç.
61-vjeçari, në zonën “Laguna e Patokut”, kishte ndërtuar një objekt njëkatësh, me qëllim përdorimi për lokal, pa leje të organeve kompetente.
Kontrollet dhe verifikimet për konstatimin e ndërtimeve pa leje dhe veprave të tjera penale kundër mjedisit, vijojnë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Ndërtim i paligjshëm”.