Librazhd/Goditje të njëpasnjëshme nga Policia, kundër veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje.
Si rezultat i një hetimi të ndjekur në bashkëpunim me Prokurorinë, konstatohet dhe goditet një tjetër rast në këtë fushë.
Sekuestrohen një armë zjarri kallashnikov dhe fishekë luftarak.
Për poseduesin e tyre, për shkak të moshës, prokurori kërkoi caktimin e masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Në vijim të goditjeve të njëpasnjëshme të Policisë, kundër veprimtarisë kriminale të mbajtjes pa leje të armëve të zjarrit, si dhe pas një hetimi të ndjekur proaktivisht, në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit, për goditjen e një tjetër rasti në këtë fushë, shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd kanë kryer kontrolle në banesën e shtetasit Q. Sh., në fshatin Koshorisht.
Gjatë kontrolleve në këtë banesë, u gjetën të fshehura 1 armë zjarri kallashnikov dhe disa fishekë luftarak, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Për pronarin e kësaj banese, shtetasin Q. Sh., 80 vjeç, prokurori i rastit, për shkak të moshës, kërkoi caktimin e masës së sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme.