Kukës/Finalizohet operacioni policor i koduar “Kufizimi”.
U kap teksa lëvizte me automjet, me cannabis dhe me shkop bejsbolli në të, ndërkohë që ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi” (të caktuar nga GJKKO-ja), vihet në pranga 19-vjeçari.
Procedohen në gjendje të lirë 2 pasagjerët që ishin në automjetin që drejtonte i arrestuari.
Sekuestrohen sasia e lëndës narkotike cannabis sativa dhe shkopi i bejsbollit.
Në kuadër të patrullimeve 24/7, të mbështetura nga inteligjenca policore, në të gjithë territorin e qarkut, për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive, si dhe për të garantuar rendin dhe sigurinë publike, shërbimet e Komisariatit të Policisë Kukës kanë ndaluar për kontrolle, automjetin tip “Benz”, me drejtues shtetasin G. M. dhe ku ishin pasagjerë shtetasit S. C. dhe F. Sh.
Si rezultat i kontrolleve në këtë automjet, të kryera në kuadër të operacionit policor të koduar “Kufizimi”, u gjetën një sasi lënde e dyshuar narkotike cannabis sativa dhe një shkop bejsbolli, që u sekuestruan nga Policia, si provë materiale.
Nga verifikimet e mëtejshme, rezultoi se shtetasi G. M. ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, të kryera në bashkëpunim, më shumë se një herë.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast u arrestua në flagrancë shtetasi G. M., 19 vjeç, si dhe u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasit S. C., 19 vjeç dhe F. SH., 18 vjeç, të tre banues në Kukës.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.