Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara në parandalimin, evidentimin dhe goditjen e rasteve të paligjshmërisë.
Tiranë – Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 parandalojnë një ngjarje të rëndë kriminale.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Selvia”. Vihet në pranga një 22-vjeçar, i cili për shkak të konflikteve të mbartura ka goditur me mjetin e tij qëllimisht mjetin e një tjetër shtetasi dhe më pas e ka ndjekur atë duke e kanosur me armë zjarri. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit me një krehër me pesë fishekë dhe një automjet. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas njoftimit të marrë për një konflikt midis dy shtetasve, falë dhe bashkëpunimit me qytetarët, finalizuan operacionin policor të koduar “Selvia” në kuadër të të cilit bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit L. M., 22 vjeç, banues në Tiranë (me precedentë të mëparshëm penal). Shtetasi L. M., për shkak të konflikteve të mbartuara ka goditur në rrugën e “Dibrës” me mjetin e tij qëllimisht mjetin që drejtohej nga shtetasi G. D., 23 vjeç. Pas përplasjes së mjeteve ky shtetas ka dalë nga mjeti duke ndjekur dhe kanosur me armë zjarri shtetasin G. D., i cili ka arritur të largohet dhe të njoftojë Policinë. Me marrjen e njoftimit shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 kanë reaguar menjëherë duke bërë kapjen dhe arrestimin e shtetasit L. M. Gjatë kontrollit të ushtruar, Policia gjeti armën e zjarrit me një krehër me pesë fishekë e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale së bashku me mjetin që ky shtetas drejtonte. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësorë Tiranë për veprat penale “Kanosje” “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Shkatërrim prone” në ngarkim të shtetasit L. M.
Tiranë – Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së lëndës narkotike në doza të vogla. Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 2 në bashkëpunim me Forcën e Posaçme “Shqiponjat” dhe Seksionin për Hetimin e Narkotikëve operacioni policor “Parkingu”. Operacioni në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për parandalimin dhe goditjen e shpërndjarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla. Sekuestrohet lëndë e dyshuar narkotike dhe një shumë lekësh, të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike. Në pranga personi që shpërndante lëndën narkotike. Në vijim të punë për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla, Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 2 në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja” dhe Seksionin për Hetimin e Narkotikëve bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit: M. B. Ky shtetas është konstatuar nga shërbimet e Policisë duke qëndruar në një parking në rrugën “Kongresi i Lushnjës” me një çantë të zezë, të cilën e kishte lënë në tokë. Gjatë kontrollit të ushtruar, këtij shtetasi i janë gjetur në çantë disa qese me lëndë të dyshuar narkotike të llojit kanabis, dy qese pluhur e dyshuar Kokainë, si dhe 23 600 lekë (të reja) të dyshuara të përfituara nga shitja e lëndës narkotike, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë për veprën penale ”Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Rinas – Policia Kufitare vijon operacionet e përbashkëta të riatdhesimit të shtetasve shqiptarë të cilët kërkojnë azil apo nuk respektojnë rregullat e qëndrimit në hapësirën SCHENGEN. Riatdhesohen 114 shtetas shqiptarë të cilët kishin shkelur rregullat e qëndrimit në vendet e BE-së, apo u është refuzuar dhënia e azilit. Në kuadër të fluturimeve të përbashkëta organizuar nga Franca në bashkëpunim me Frontex-in dhe me pjesëmarrjen e Belgjikës, Gjermanisë e vendeve të tjera të BE-së, si dhe me mbështetjen e eskortës Shqiptare në Aeroportin e Rinasit mbërriti një charter nga Franca, i eskortuar nga Policia Shqiptare me 33 shtetas shqiptar, nga të cilët 28 shtetas të deportuar nga Franca dhe 5 shtetas nga Belgjika. Po në këtë kuadër nga disa vende të BE-së, u riatdhesuan edhe 81 shtetas të tjerë shqiptarë të cilët kishin thyer rregullat e qëndrimit në hapësirën SCHENGEN, disa prej tyre kishin tentuar për të hyrë ilegal në Angli, si dhe një pjesë që kishin përfunduar dënimin në një nga vendet e BE-së. Policia e Shtetit apelon edhe njëherë për të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë për në vendet e BE-së, të respektojnë rregullat e lëvizjes në hapësirën Schengen dhe të mos kërkojnë azil, pasi shanset për ta fituar janë zero.
Nga Specialistët për Hetimin e Narkotikëve u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. A., 19 vjeç, banues në Tiranë, pasi më datë 26.10.2019, gjatë pasdites, në rrugën “Jusuf Vironi”, Tiranë, nga punonjësit e Policisë të Seksionit të Forcës së Posaçme “SHIGJETA 2”, të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë ështe ushtruar kontroll ndaj shtetasit E. A., gjatë të cilit, iu gjet një sasi prej 5.2 gr. lëndë e dyshuar narkotike. Materialet do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë në ngarkim të shtetasit E. A., për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Rinas – Ekstradohet nga Interpol Tirana një tjetër shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje. U krye ekstradimi nga Milano/Itali drejt vendit tonë i shtetasit shqiptar K. H., 28 vjeç, lindur në Kurbin. Shtetasi K. H. ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Sarandë, në vitin 2015 ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim”. Më datë 10 korrik 2015, rreth 02:00, në Sarandë, si rezultat i një mosmarrëveshjeje për motive të dobëta mes pronarit të një autolavazhi makinash, shtetasit E. M., me shtetasit G. H., E. H. dhe K. H, këta të fundit e goditën me shkop bejsbolli dhe me tytën e pistoletës. Pas kësaj një nga autorët iu afrua dhe qëlloi në drejtim të shtetasit E. M., i cili gjeti vdekjen e menjëhershme. Si rezultat i bashkëpunimit të Interpol Tirana me Interpol Romën, u bë i mundur arrestimi i tij në Itali dhe ekstradimi drejt vendit tonë.
Kukës – Ndërhyrja në kohë e Policisë parandalon përshkallëzimin e një konflikti për motive pronësie ndërmjet 3 familjeve. Arrestohen në flagrancë 3 shtetas, si dhe shpallet në kërkim një tjetër. Policia ka marrë njoftim se në fshatin Zall-Lusen, kishte një konflikt mes 3 familjeve. Me marrjen e njoftimit, shërbimet e Policisë janë nisur menjëherë në vendngjarje. Falë reagimit në kohë dhe ndërhyrjes së shpejtë është bërë e mundur parandalimi i përshkallëzimit të konfliktit dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve A. L., 38 vjeç, R. L., 31 vjeç, (vëllezër), dhe D. L., 31 vjeç, banues në fshatin Zall-Lusen. Si dhe u shpall në kërkim shtetasi A. L., 36 vjeç, banues në fshatin Zall-Lusen. Shtetasit A. L., R. L., dhe A. L., vëllezër, në bashkëpunim me njeri-tjetrin, në vendin e quajtur Zall-Lusen, për motive pronësie, kanë goditur me mjete të forta, mjete prerëse dhe rrethanore shtetasin M. Ç., dhe vajzën e tij, shtetasen G. Ç., të cilët për pasojë kanë marrë dëmtime në pjesë të ndryshme të trupit. Të dëmtuarit kanë marrë mjekim në spitalin e Kukësit dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Ndërsa, arrestimi i shtetasit D. C., u bë pasi për motive pronësie, ka goditur me mjete të forta dhe rrethanore shtetasin R. L. Materialet i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprat penale “Plagosje e rëndë me dashje, në bashkëpunim”, “Mbajtja pa leje e armëve të ftohta” dhe “Plagosje e lehtë me dashje”.
Himarë, Vorë -Policia e Himarës u vjen në ndihmë dy turistëve spanjollë, të cilët humbën për 3 orë në Kanionin e Gjipesë. Rreth orës 18:20, në Kanionin e Gjipesë, Himarë, një çift spanjollësh duke eksploruar territorin, për shkak se po afronte nata kanë humbur rrugën duke e bërë të pamundur daljen e tyre nga kanioni. Forcat e Policisë së Himarës dhe ajo Kufitare, për shkak të terrenit të vështirë kanë kërkuar në rrugë tokësore me këmbë, por edhe nëpërmjet territorit ujor me mjetet lundruese me qëllim gjetjen e tyre. Pas 3 orë kërkimesh intensive shërbimet e policisë i kanë gjetur në pjesën veriore të këtij kanioni, në kufi me fshatin Vuno. Dy turistët 34 vjeç dhe 26 vjeçe janë në gjendje të mirë shëndetësore dhe fatmirësisht nuk kanë pësuar asnjë dëmtim. Policia po i shoqëron turistët drejt automjetit të tyre në rrugën nacionale Vlorë – Himarë. Policia e Shtetit gjen rastin të falënderojē shërbimet e kërkimit, si dhe ambasadën spanjolle, e cila ka asistuar në operacionin e kërkimit.
Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 227 shtetas, nga këta: 55 janë arrestuar, 14 janë ndalur dhe 158 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndalur 10 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 14 raste në të gjithë territorin, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 11 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit në gjithë territorin gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 18 raste, konkretisht: 5 raste të “Kanosja”, 4 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 7 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, në qarkun Tiranë, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja me dashje, e mbetur në tentativë”, në qarkun Durrës, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i dhunës në familje në të gjithë territorin, me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë dhe janë plotësuar 20 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.
Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 31 raste, 6 raste me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 25 raste, për të cilat po punohet për identfikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 6 raste në fushën e shkatërrimit të pronës, me 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 3 raste të armëmbajtjes pa leje, me 1 autor të arrestuar në flagranë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë organizuar 3 raste të “Organizimi i lotarive të palejuara”, me 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 17 raste të ndërtimit pa leje dhe autorët po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e vjedhjes së energjisë elektrike janë evidentuar 4 raste, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 4 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.
Gjatë 72 orëve të fundit në territorin e Shqipërisë janë evidentuar 16 raste aksidentesh, me 1 viktimë dhe 17 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Janë evidentuar dhe arrestuar 17 shtetas që drejtonin automjetet nën efektin e alkoolit, në të gjithë territorin.
Janë evidentuar dhe proceduar 15 shtetas që drejtonin automjetet pa u pajisur me leje drejtimi.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.