Durrës/Vijon operacioni policor i koduar “Eurot”.
Kapet dhe vihet në pranga, sapo zbriti nga trageti, në portin e Durrësit, 33-vjeçari nga Lushnja, i shpallur në kërkim për një sërë veprash penale.
Në momentin e arrestimit, gjatë kontrollit fizik, Policia i gjeti 9000 euro.
33-vjeçari, i shpallur në kërkim për sasinë e madhe të eurove të kapura në portin e Durrësit, në kuadër të operacionit policor të koduar “Eurot”, i zhvilluar në tetor të vitit 2022, nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Durrës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe autoritetet doganore në portin e Durrësit.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, bazuar në inteligjencën policore për një shtetas të shpallur në kërkim që do të kthehej nga Italia në Durrës, me traget, kanë organizuar punën dhe në momentin që shtetasi E. Ç. ka zbritur nga trageti, shërbimet e Policisë e kanë vënë në pranga.
Në vijim të veprimeve, shtetasi E. Ç., 33 vjeç, banues në Lushnjë, u arrestua pasi Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, me vendimin e datës 14 shtator 2023, ka lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, e cila ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për këtë shtetas.
Gjatë kontrollit, në momentin e ndalimit, këtij shtetasi iu gjetën 9 000 euro, të cilat u sekuestruan nga Policia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me detyrim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet e akcizes”, “Kontrabanda me mallra të tjera”, “Tregtimi dhe transportimi i mallrave kontrabandë”, “Mosdeklarimi në kufi i të hollave dhe sendeve me vlerë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.