Tiranë – Vihet në pranga 1 shtetas

Tiranë

Në lidhje me një rast të transmetuar në emisionin investigativ “Stop”, që bën fjalë për një shtetas, i cili me anë të mashtrimit, duke u prezantuar si funksionar shtetëror, kishte përvetësuar shuma të konsiderueshem parash nga një shtetase, ju bëjmë me dije se:

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në bashkëpunim me Sektorim e Forcës së Posaçme Operacionale në DVP Tiranë, pas publikimit të pamjeve filmike, organizuan punën për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasit që shfaqet në video.

Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë arrestuan shtetasin V. B., 55 vjeç, banues në Tiranë, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërisë dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në numrin 112, duke iu garantuar anonimat të plotë dhe reagim të menjëhershëm e të paanshëm.