Policia e Shtetit/Operacione të njëpasnjëshme, të koordinuara me partnerët, për kapjen e shtetasve të kërkuar ndërkombëtarisht.
Finalizohet operacioni policor i koduar “Provinca”, si rezultat i bashkëpunimit ndërmjet Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në DPPSH, FAST Albanias dhe zyrës së Interforcës italiane, në Shqipëri.
Vrau me armë zjarri, një shtetas shqiptar, rreth 1 vit më parë, në Itali, kapet në afërsi të Fushë Krujës dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 41-vjeçari.
Si rezultat i bashkëpunimit të vazhdueshëm ndërmjet strukturave të Policisë së Shtetit dhe zyrës së Interforcës italiane, në Shqipëri, për lokalizimin, kapjen dhe nxjerrjen përpara përgjegjësisë penale, të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, për llogari të shtetit tonë ose të Italisë, specialistët e Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale, në DPPSH, dhe ata të njësisë FAST Albania, finalizuan operacionin policor të koduar “Provinca”.
Në kuadër të këtij operacioni, në afërsi të Fushë Krujës, u lokalizua, u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Itali, shtetasi Sh. K., 41 vjeç.
41-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar nga autoritetet italiane, pasi më datë 18.08.2022, në vendin e quajtur “Castelnuova val di Cecina”, në provincën Piza, Itali, dyshohet se ka vrarë me armë zjarri, shtetasin shqiptar E. K.
Vijojnë veprimet procedurale për ekstradimin e këtij shtetasi, në Itali, ku dënimi për këtë vepër penale është maksimumi 30 vjet burgim.