Skrapar/Kontrolle nga toka dhe nga ajri, në fshatra dhe në zona të pyllëzuara, në vijim të operacionit policor anticannabis të koduar “Tomorri”.
Finalizohet si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, faza e tretë e këtij operacioni.
Asgjësohen nëpërmjet djegies, 980 bimë narkotike cannabis sativa që u gjetën të kultivuara në një zonë të pyllëzuar, në fshatin Novaj.
Vihen në pranga 2 autorët e dyshuar të kultivimit të këtyre bimëve narkotike.
Procedohen penalisht kryetari i fshatit Novaj dhe inspektori i shërbimit pyjor të kësaj zone, për shpërdorim të detyrës.
Sekuestrohen 2 radio marrëse-dhënëse që u gjetën në banesat e të arrestuarve.
✅Gjatë të gjitha fazave të operacionit “Tomorri”, janë asgjësuar 2105 bimë narkotike cannabis sativa, janë arrestuar 5 shtetas, është shpallur në kërkim 1 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 3 të tjerë.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Skrapar, si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, të ndjekur në bashkëpunim me Prokurorinë e Beratit, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për një rast të kultivimit të bimëve narkotike, në fshatin Novaj, Skrapar, kanë finalizuar fazën e tretë të operacionit policor anticannabis të koduar “Tomorri”.
Në kuadër të kësaj faze, në territorin e fshatit Novaj, u gjetën të kultivuara 980 bimë cannabis sativa, të cilat u asgjësuan nga shërbimet e Policisë, nëpërmjet djegies.
Si autorë të dyshuar të kultivimit të këtyre bimëve, u identifikuan dhe u arrestuan shtetasit M. B., 43 vjeç dhe D. L., 33 vjeç, të dy banues në fshatin Novaj, Skrapar.
Gjatë kontrollit në banesat e këtyre shtetasve, u gjetën dhe u sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 2 radio marrëse-dhënëse.
Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për shtetasit Sh. L., kryetar i fshatit Novaj dhe Q. D., inspektor i shërbimit pyjor të kësaj zone.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Berat, për veprime të mëtejshme.