DVP Korçë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Night sales 7”

DVP Korçë/Vijojnë operacionet policore, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes në doza, të drogave të forta.

Finalizohet operacioni policor i koduar “Night sales 7”.

Bashkëpunëtorë për shitje të dozave të kokainës, kapen në flagrancë dhe vihen në pranga 2 shtetas.

Sekuestrohen një automjet që përdorej për shpërndarjen e dozave, një sasi lënde narkotike kokainë, e ndarë në doza të gatshme për shitje, 3 celularë dhe një shumë parash që dyshohet se ishte siguruar nga kjo veprimtari.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, në vazhdën e operacioneve me fokus goditjen e veprimtarisë kriminale të shitjes së lëndëve narkotike, në doza, në zona të ndryshme të qarkut, finalizuan operacionin policor të koduar “Night sales 7”, si rezultat i të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit E. G., 28 vjeç dhe R. V., 31 vjeç, të dy banues në fshatin Drithas, Maliq.

Në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca policore, për veprimtarinë kriminale të këtyre 2 shtetasve, në kryqëzimin e unazës, Maliq, u ndalua automjeti me drejtues shtetasin R. V. dhe ku ishte pasagjer shtetasi E. G.

Nga kontrolli i ushtruar në automjet u gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike kokainë, e ndarë në doza të gatshme për shitje.

Dozat e kësaj lënde narkotike, automjeti, 3 celularë dhe një shumë parash u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.