DVP Gjirokastër/Finalizohet operacioni policor i koduar “Road Guard 72”.
Vihet në pranga 34-vjeçari që transportonte 22 emigrantë, me furgon, dhe gjatë tentativës për t’u larguar nga shërbimet e Policisë, në mesnatë, aksidentoi dy automjete dhe dëmtoi një punonjës policie.
Sekuestrohen automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët dhe 3 celularë.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme të DVP Gjirokastër, në bashkëpunim me Seksionin Operacional, në vijim të punës për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit, si rezultat i një pune hetimore me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Road Guard 72”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. H., 34 vjeç, banues në Lushnje.
Gjatë operacionit, në aksin nacional Përmet-Këlcyrë, shërbimet e Policisë janë vënë në ndjekje të automjetit furgon tip “Opel”, me drejtues shtetasin A. H., i cili po transportonte kundrejt pagesës, 22 emigrantë nga vendet MENA.
Në tentativë për të shmangur kapjen nga shërbimet e Policisë, shtetasi A. H. ka aksidentuar dy automjete që ndodheshin në rrugë, si dhe ka dëmtuar lehtë një punonjës policie që ishte në shërbim, i cili ka marrë ndihmë mjekësore në spitalin e Gjirokastrës dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua automjeti furgon dhe 3 celularë.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.