-Kontrollet gjatë 72 orëve të fundit janë zhvilluar në malësinë e Krujës, në qarkun Shkodër, në qarkun Lezhë dhe në Tropojë, në terrene të vështira malore dhe në fshatra të thella.
-Në megaoperacion janë angazhuar 7000 punonjës policie dhe 90 dronë të cilësisë së lartë, për kontrollin e territorit dhe për asgjësimin e bimëve narkotike.
-Si rezultat i kontrolleve dhe përdorimit të dronëve, janë asgjësuar në total 24 220 bimë narkotike cannabis sativa.
-Po gjatë kontrolleve, në territorin e fshatit Arst, Pukë, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 29 kilogramë kanabis në formën e boçeve. U shpall në kërkim autori i dyshuar i këtij rasti, shtetasi N. H., si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, për kryetarin e fshatit Arst, shtetasin K. B., për shpërdorim detyre.
✅Në qarkun Shkodër, si rezultat i fazës së 13-të të megaoperacionit policor “Alpe të pastra” u asgjësuan në total 15 338 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në fshatra të ndryshme të bashkive Shkodër, Malësi e Madhe, Vau i Dejës dhe Fushë Arrëz. Si autor i dyshuar i njërit prej rasteve të kultivimit, u shpall në kërkim shtetasi P. D., 52 vjeç, banues në Arst, Fierzë, Fushë Arrëz. Ndërkohë vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në rastet e tjera të kësaj veprimtarie kriminale.
✅Në malësinë e Krujës, si rezultat i fazës së 35-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Territor i pastër”, u asgjësuan 4630 bimë narkotike kanabis që u gjetën të kultivuara në zona të ndryshme.
✅Në qarkun Lezhë, si rezultat i fazës së 33-të të megaoperacionit policor antikanabis të koduar “Imazhi”, u asgjësuan në total 4000 bimë narkotike cannabis sativa që u gjetën të kultivuara në disa fshatra të ndryshme të rretheve Lezhë dhe Kurbin.
✅Në zona malore të rrethit të Tropojës, si rezultat i fazës së 7-të të operacionit policor antikanabis të koduar “Bjeshkët e Nemuna”, u asgjësuan 252 bimë narkotike që u gjetën të kultivuara në fshatra të ndryshme të bashkisë Tropojë.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të përfshirë në rastet e kësaj veprimtarie kriminale.
Policia e Shtetit do të intensifikojë kontrollet në të gjithë vendin, duke bashkëpunuar ngushtë me qytetarët dhe me agjencitë e tjera ligjzbatuese, për të marrë informacion në lidhje me tentativat për kultivim të bimëve narkotike, me qëllim evidentimin dhe goditjen e çdo rasti të kësaj veprimtarie kriminale.
Megaoperacioni policor antikanabis i koduar “FOKUSI” po vijon pandërprerë në të gjithë vendin, me shërbime nga toka, monitorim nga ajri me dronët e Policisë, si dhe përmes bashkëpunimit të ngushtë me partnerët e GDF-së.
Policia e Shtetit fton qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë, për përmbushjen e objektivit të megaoperacionit “FOKUSI”, si dhe për denoncimin e çdo paligjshmërie tjetër, me qëllim krijimin e një ambienti të sigurtë për të gjithë.