FAST Albania
Finalizohet operacioni policor i koduar “North”, për kapjen e një shtetasi të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Operacioni “North”, rezultat i bashkëpunimit të ngushtë ndërmjet FAST Albanias, FAST Polonisë, Interpol Tiranës, Interpol Varshavës dhe Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.
I akuzuar për tentativë për vrasje të dyfishtë, si dhe i dënuar me burgim, për një sërë veprash të tjera penale, lokalizohet në Tiranë dhe arrestohet me qëllim ekstradimin, 28-vjeçari nga Polonia.
Si rezultat i shkëmbimit të vazhdueshëm të informacioneve ndërmjet FAST Albanias, FAST Polonisë, Interpol Tiranës dhe Interpol Varshavës, se në Tiranë fshihej një shtetas i rrezikshëm për komunitetit, me precedent të theksuar kriminal në shtetin polak, shërbimet e FAST Albanias, në bashkëpunim me shërbimet e Policisë së Tiranës, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “North”.
Në kuadër të këtij operacioni, u lokalizua në një subjekt shërbimi (bar), në Tiranë, u kap dhe u arrestua provizorisht, për t’u ekstraduar në Poloni, shtetasi i shpallur në kërkim ndërkombëtar Dominik Orlowski, 28 vjeç, i lindur në Poloni.
-Prokurori i Rrethit Gdansk, Poloni, i ka caktuar 28-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për tentativë vrasjeje, sipas parashikimeve të Kodit Penal të Polonisë. Më datë 10.03.2023, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka qëlluar disa herë, me armë zjarri, në drejtim të automjetit me të cilin po lëviznin 2 shtetas, për t’i vrarë ata. Si pasojë, njëri prej shtetasve është plagosur rëndë.
-Gjykata e Rrethit Gdansk, Poloni e ka dënuar shtetasin Dominik Orlowski me 7 vjet burgim, për trafikim të lëndëve narkotike, sulm dhe shkatërrim prone, sipas parashikimeve të Kodit Penal të Polonisë. Nga ky dënim, 28-vjeçarit i duhet të kryejë më shumë se 5 vjet burgim.
Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me Interpol Varshavën, për ta ekstraduar 28-vjeçarin, drejt Polonisë.