Tiranë/Finalizohet nga Komisariati i Policisë Nr. 6, operacioni policor i koduar “Plate number”.
Vodhi gjatë një dite, targat e 12 automjeteve, të cilat dyshohet se do të dërgoheshin jashtë Shqipërisë dhe do të përdoreshin nga shtetas të tjerë, për veprimtari kriminale, kapet dhe vihet në pranga 23-vjeçari.
23-vjeçari i arrestuar, i dënuar më parë për vepra penale në fushën e narkotikëve, në Belgjikë.
Sekuestrohen targa të shteteve të ndryshme, të vjedhura, doreza dhe mjete të cilat 23-vjeçari i përdorte për të kryer vjedhjet.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e vjedhjes së pronës dhe pasurisë, kapjen e shtetasve që kryejnë vjedhje dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Plate number”.
Si rezultat, u kap në flagrancë duke vjedhur targat e një automjeti, në “Misto Mame”, dhe u vu në pranga, shtetasi J. L., 23 vjeç, banues në Pogradec, i dënuar më parë për vepra penale në fushën e narkotikëve, në Belgjikë.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar se ky shtetas, po gjatë ditës së djeshme, ka vjedhur targat e 11 automjeteve të ndryshme, në zonën e Yzberishtit, Misto Mames dhe të Kombinatit.
Nga veprimet hetimore dyshohet se targat e vjedhura do të dërgoheshin jashtë Shqipërisë dhe do të përdoreshin nga shtetas të tjerë, për veprimtari kriminale.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 13 targa të shteteve të ndryshme, të vjedhura.
Vijon puna për dukumentimin e vjedhjeve të tjera që mund të jenë kryer nga ky shtetas.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.