Sqarim i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë
Në lidhje me rastin e publikuar më datë 04.05.2023, në emisionin investigativ “Fiks Fare”, për çiftin e bashkëshortëve A. Gj. dhe A. Gj., banues në Lezhë, të cilët janë ankuar se janë kërcënuar nga një shtetas, për shkak të biznesit të tyre, dhe pretendojnë se strukturat e Policisë nuk iu kanë marrë kallëzimin dhe nuk e kanë trajtuar konfliktin e tyre, ju bëjmë me dije:
Pretendimet e paraqitura nga këta shtetas janë të pavërteta. Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë mohon akuzën e bërë nga çifti në fjalë dhe vë në dizpozicion sqarimin për situatën, me prova dhe fakte, për të vërtetuar që në të gjitha rastet që ata janë paraqitur, problemi i tyre është trajtuar me seriozitet dhe profesionalizëm, nga strukturat policore të cilat kanë kryer të gjitha veprimet administrative, hetimore dhe procedurale, në drejtimin e Prokurorisë, konform procedurave standarde të punës dhe Kodit të Procedurës Penale.
Konkretisht: Kallëzuesit janë paraqitur në ambientet e Komisariatit të Policisë Lezhë, për herë të parë, më datë 16.12.2022, në orën 09:14, dhe janë shprehur se kishin konflikt me një shtetas. Menjëherë, pretendimi i tyre është trajtuar nga dy specialistë të policimit në komunitet, si dhe nga specialisti për Hetimin e Krimeve. Bashkëshortët janë shprehur se donin të bënin kallëzim, pasi më datë 16.12.2022, rreth orës 03:20, në rrugën para pallatit ku banonin, iu kanë dalë përpara dy shtetas, me shkopinj në dorë, dhe kanë tentuar t’i godasin, por nuk e kanë bërë dhe janë larguar me një automjet. Shtetas të dyshuar nga kallëzuesit, lidhur me këtë ngjarje, ishin shtetasi Gj. Ç. dhe djemtë e tij, pasi me këtë shtetas kishin konflikt për shkak të një biznesi privat (furrë buke), që kishin hapur në të njëjtën rrugë me të dhe shtetasi Gj. Ç. nuk i lejonte që të punonin. Pas administrimit të kallëzimit, nga strukturat hetimore janë kryer të gjitha veprimet e tjera hetimore dhe procedurale, për trajtimin ligjor të rastit. Ndër të tjera janë këqyrur celularët e tyre lidhur me kërcënimet, janë këqyrur kamerat përreth ambientit ku ka ndodhur ngjarja, si dhe janë shoqëruar dhe janë marrë në pyetje shtetasit e dyshuar Gj. Ç. dhe djali i tij A. Ç.
Më datë 19.12.2022, në ambientet e Komisariatit të Policisë Lezhë është paraqitur përsëri shtetasja A.Gj., e cila është pritur në zyrë nga zv/drejtori për Hetimin e Krimeve, ku është pyetur dhe ka trajtuar situatën e problemit që ajo ka parashtruar.
Po në këtë datë, në zyrën e specialistit për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë është pritur përsëri shtetasi A.Gj., i cili ka deklaruar se i kishin shkuar në banesë, dy shtetas, për ta pyetur mbi arsyen e kallëzimit ndaj shtetasit Gj. Ç. Menjëherë pas këtij informacioni, dy shtetasit e përmendur janë shoqëruar në Polici dhe në përfundim të të gjitha veprimeve hetimore, materialet procedurale janë referuar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për veprat penale ‘’Kanosja’’ dhe ‘’Vetëgjyqësia’’, parashikuar nga nenet 84 dhe 277 të Kodit Penal, me shkresën përcjellëse nr. 4525, të datës 22.12.2022, kallëzim për të cilin Prokuroria ka regjistruar procedimin penal nr.65, viti 2023. Kjo çështje është akoma në hetim dhe strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Lezhë janë të angazhuara që të kryejnë çdo veprim hetimor të deleguar nga prokurori i çështjes.
Të gjitha veprimet procedurale të kryera nga strukturat e Policisë, deri në referimin e çështjes, në Prokurori, datat dhe orët e të gjitha rasteve të paraqitjes së bashkëshortëve në ambientet e Policisë, janë të vërtetueshme nga këqyrja e librave të regjistrimit të shtetasve në hyrje-dalje dhe në sekretarinë e Komisariatit të Policisë Lezhë.
Ndërsa më datë 01.04.2023 (rasti i trajtuar në emision), shtetasit A. Gj. dhe A. Gj. (bashkëshortë), janë paraqitur në orën 17:45, në Zyrën e Informacionit dhe Pritjes për Qytetarët pranë Komisariatit të Policisë Lezhë dhe kanë marrë kontakt me punonjësin e Policisë të planëzuar me shërbim aty, duke i kërkuar që të bënin kallëzim lidhur me një konflikt. Punonjësi i Policisë i ka dërguar ata tek specialisti për Hetimin e Krimeve, i gatshëm në grafik sipas urdhrit ditor, i cili i ka pritur në zyrën e tij, bashkëshortët, së bashku me specialistin e policimit në komunitet, dhe në drejtimin e prokurorit të gatshëm, ka trajtuar problemin që ata parashtronin. Problemi që ata parashtronin nuk ishte ngjarja e ndodhur më datë 16.12.2022 (siç është trajtuar në emision nga shtetasja A. Gj. që shprehur se nuk janë kryer veprimet dhe nuk është vlerësuar), por arsyeja se ishte shtetasi Gj. Ç. i kërkonte shtetases A. Gj. që t’i kthente paratë që ia kishte dhënë disa kohë më parë.
Duke iu referuar ankesës së tyre (çështje me natyrë civile), çiftit i është kërkuar që të bëhej ballafaqimi në ambientet e Policisë, me palën tjetër, në prani të punonjësve të Policisë, me qëllim që të arrihej një marrëveshje për zgjidhjen përfundimtare të konfliktit. Kjo është refuzuar nga çifti i bashkëshortëve, të cilët nuk kanë dashur kontakt me palën tjetër. Në këto kushte është administruar kallëzimi i tyre, si dhe është shoqëruar shtetasi i kallëzuar Gj. Ç., i cili është marrë në pyetje lidhur me pretendimet ndaj tij.
Në përfundim të veprimeve, të gjitha materialet hetimore dhe procedurale të kryera për këtë rast, edhe pse nuk ka patur konsumim të ndonjë elementi të ndonjë vepre penale, referuar Kodit të Procedurës Penale dhe Kodit Penal, janë referuar për vlerësim, në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, me shkresën përcjellëse nr. 1534, të datës 04.04.2023.
Nga analiza tërësore e bërë për të gjitha veprimet e kryera nga punonjësit e Policisë që shfaqen në emisionin e datës 04.05.2023, rezulton se të gjitha veprimet e kryera nga ana e tyre, që ditën e parë të paraqitjes së bashkëshortëve në ambientet e Policisë, për të kërkuar ndihmën e Policisë, dhe deri në përfundimin e tyre, me referimin në Prokurori, në të gjitha rastet janë profesionale dhe në përputhje me procedurat standarde të punës, Kodin e Etikës dhe Kodin e Procedures Penale.
Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë, duke falënderuar mediat, për rastet e trajtuara nga ana e tyre, shpreh kërkesën për bashkëpunim më të ngushtë dhe kërkesën që përpara publikimit të një lajmi në media, të interesohen pranë Policisë, për informacion në lidhje me veprimet e kryera, në mënyrë që në çdo rast të transmetohet informacion sa më transparent dhe i vërtetë, te publiku.