Lushnjë/Kontrolle intensive, bazuar në inteligjencën informative, për kapjen e shtetasve që qarkullojnë me armë zjarri apo me sende të kundërligjshme.
Si rezultat i kontrolleve gjenden dhe sekuestrohen 1 pistoletë, 1 thikë dhe municion luftarak.
Vihet në pranga 30-vjeçari me precedent të mëparshëm penal për vrasje.
30-vjeçari u kap në flagrancë gjatë kontrolleve të Policisë, i cili qarkullonte me sende të kundërligjshme,
në automjet.
Në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, shërbimet e Komisariatit të Policisë Lushnjë, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, kanë ndaluar për kontroll automjetin tip “Benz” në të cilin udhëtonte shtetasi M. P. Gjatë kontrollit në çantën e krahut të këtij shtetasi, shërbimet e Policisë kanë gjetur 1 pistoletë, 1 krehër me 7 fishekë dhe 1 thikë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë shtetasin M. P., 30 vjeç, banues në Patos, i dënuar më parë për vrasje në rrethana të tjera cilësuese.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.