Vlorë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Reset”, për goditjen e një tjetër rasti të tentativës për trafikim të lëndëve narkotike.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni i Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve dhe Forca e Posacme Operacionale, në DVP Vlorë.
Sekuestrohen 104 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis.
Vihet në pranga 48-vjeçari, drejtuesi i automjetit që transportonte 10 pakot me lëndë narkotike.
48-vjeçari, me precedent të theksuar kriminal në fushën e narkotikëve.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale, të DVP Vlorë, në vijim të operacioneve për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e siguruara përmes inteligjencës informative, se një sasi e madhe lënde narkotike kanabis po transportohej me një automjet tip “Chrysler”, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Reset”.
Si rezultat i këtij operacioni, u arrestua në flagrancë shtetasi K.(N.). S., 48 vjeç, banues në Vlorë.
Shërbimet e Policisë, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, kanë lokalizuar automjetin e dyshuar dhe janë vënë në ndjekje të tij. Drejtuesi i automjetit, sapo ka vënë re se po ndiqej nga Policia, ka tentuar të largohet me shpejtësi, por pas disa minutash ndjekje është kapur dhe ndaluar nga shërbimet e Policisë, në fshatin Novosel.
Gjatë kontrollit në automjetin tip “Chrysler”, në bagazh, u gjetën 10 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis. me peshë totalë 104 kilogramë. Pakot me kanabis u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin dhe 1 aparat celular.
Strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, vijojnë hetimet e thelluara për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Vlorës, për veprime të mëtejshme.