Raporti 48-orësh i ngjarjeve, 1, 2 maj 2023
Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Vlorë/Parandalohet një ngjarje e mundshme kriminale.Finalizohet operacioni policor i koduar “Alert”, si rezultat i inteligjencës informative të administruar nga Komisariati i Policisë Vlorë. Me pistoletë dhe sasi kokaine në automjet, kapet në flagrancë dhe vihet në pranga 27-vjeçari. Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë dhe sasia e lëndës narkotike kokainë. Shërbimet e Seksionit të Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë, si rezultat i punës së pandërprerë në terren, për kapjen e shtetasve që qarkullojnë me armë zjarri dhe për pasojë cenojnë rendin dhe sigurinë publike, kanë siguruar informacion se një shtetas i armatosur po vinte drejt Vlorës dhe se mund të kryente një krim të rëndë. Në bazë të këtyre informacioneve shërbimet e Policisië kanë organizuar menjëherë punën dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Alert”. Në kuadër të këtij operacioni, në autostradën e Vlorës, shërbimet e Policisë kanë ndaluar për kontroll automjetin tip “Porsche”, me drejtues shtetasin A. Y. Gjatë kontrollit në këtë automjet është gjetur një armë zjarri pistoletë tip “Zastava” dhe një sasi lënde narkotike kokainë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me automjetin që drejtonte ky shtetas. Nga hetimet paraprake dyshohet se shtetasi A. Y. po udhëtonte i armatosur drejt Vlorës, për t’u konfliktuar me familjarët e bashkëshortes së tij, në banesën e të cilëve jetonte prej disa kohësh edhe bashkëshortja e këtij shtetasi. Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, u arrestua në flagrancë shtetasi A. Y, 27 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme.
Elbasan – Përndoqi në rrugë, për 1 vit, një 17-vjeçare, pas kallëzimit të saj në Polici, kapet dhe vihet në pranga 24-vjeçari. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan, pas kallëzimit të marrë nga një shtetase 17 vjeçe, se shtetasi M. R. e përndiqte në rrugë, në mënyrë të vazhdueshme, prej 1 viti, organizuan punën për lokalizimin dhe kapjen e këtij shtetasi. Bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative, u bë e mundur kapja dhe ndalimi shtetasit M. R., 24 vjeç, banues në Elbasan. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Vau i Dejës/Ushtroi dhunë ndaj prindërve të tij dhe dëmtoi orenditë shtëpiake, vihet në pranga 34-vjeçari. Gjatë kontrollit fizik, 34-vjeçarit iu gjet një sasi kanabisi. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vau i Dejës kanë arrestuar shtetasin N. P., 34 vjeç, pasi ka ushtruar dhunë ndaj prindërve të tij dhe ka dëmtuar orenditë shtëpiake. Gjatë kontrollit fizik, shërbimet e Policisë i gjetën shtetasit N. P., një sasi të vogël lënde narkotike kanabis, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale u referuan në Prokurori, për veprime të mëtejshme.
Gramsh/Sekuestrohet një arsenal armësh. Falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Policisë, u parandalua një ngjarje e rëndë kriminale në familje. Finalizohet operacioni policor i koduar “Grabova”, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Gramsh, në bashkëpunim me Forcën Operacionale të DVP Elbasan. Kanosi me armë zjarri bashkëshorten e tij dhe fëmijët, arrestohet në flagrancë 53-vjeçari, shtetas me precedent të mëparshëm kriminal. Policia gjen në banesën e kësaj familjeje dhe sekuestron një arsenal armësh të përbërë nga 5 armë zjarri, 1 armë gjahu dhe municion luftarak. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Gramsh, pas njoftimit se një shtetas që banonte në fshatin Grabovë e Sipërme, kërcënonte bashkëshorten dhe fëmijët se do t’i vriste me armë zjarri, menjëherë kanë organizuar punën dhe kanë shkuar në adresën e dhënë. Bazuar në informacionin e marrë për shtetasin që posedonte armë, në ndihmë të shërbimeve të Komisariatit të Policisë Gramsh kanë shkuar dhe shërbimet e Forcës Operacionale të DVP Elbasan. Falë ndërhyrjes në kohë të shërbimeve të Policisë, u bë i mundur parandalimi i një ngjarjeje të mundshme kriminale në familje. Në kuadër të operacionit policor të koduar “Grabova”, shërbimet e Policisë arrestuan në flagrancë shtetasin Gj. S., 53 vjeç, banues në fshatit Grabovë e Sipërme, Gramsh, me precedent të mëparshëm kriminal, në fushën e narkotikëve, të armëmbajtjes pa leje dhe në fushën e vjedhjes. Shërbimet e Policisë gjetën nl banesë dhe sekuestruan një arsenal armësh që posedonte ky shtetas, të përbërë nga 5 armë zjarri, 1 armë gjahu dhe municion luftarak. Nga veprimet hetimore dyshohet se ky shtetas ka ushtruar dhunë fizike në mënyrë të përsëritur ndaj bashkëshortes së tij dhe fëmijëve të tyre, si dhe i ka kanosur ata me armë zjarri, për motive të dobëta. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Fier/Informacione paraprake – Rreth orës 18:20, në bypass_in e Fierit, ka marrë flakë, në ecje e sipër, automjeti tip “Nisan” me drejtues shtetasin A. B. Nga flakët janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Paraprakisht dyshohet se zjarri ka rënë për shkak të një defekti në mjet. Grupi hetimor po punon për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Rreth orës 18:30, në fshatin Sheqishte, Fier, automjeti tip “Benz” me drejtues shtetasin E. Sh., 26 vjeç, është përplasur me automjetin tip “Volksëagen”, i cili ka qënë i parkuar anës rrugës. Si pasojë e përplasjes është dëmtuar drejtuesi i automjetit tip “Benz” dhe pasagjeri, shtetasi D. L., 30 vjeç, të cilët ndodhen në spital, në kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për përcaktimin e shkakut të aksidentit.
Fier/Informacion paraprak – Rreth orës 13:50, në lagjen “29 Nëntori”, Fier, dyshohet për motive të dobëta, shtetasi E. S., 42 vjeç, banues në Fier, ka goditur me sende të forta (çekiç), shtetasin Q. H., 55 vjeç, banues në Fier, i cili ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Eshtë shpallur në kërkim 42-vjeçari dhe po punohet për kapjen e tij. Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Durrës – Më datë 30.04.2023, në mbrëmje, në Sukth, një shtetas ende i paidentifikuar ka vjedhur automjetin e parkuar tip “Ford”, në pronësi të shtetasit A. G., banues në Durrës. Punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit të vjedhjes, si dhe për gjetjen e automjetit.
Hani i Hotit, Shkodër – Tentoi të ndihmonte një 34-vjeçare nga Sri Lanka, që të kalonte kufirin me Malin e Zi, në mënyrë të paligjshme, me automjetin e tij, vihet në pranga 36-vjeçari nga Sri Lanka, banues në Francë. Procedohet penalisht 34-vjeçarja që tentoi të kalonte kufirin në mënyrë të paligjshme. Strukturat e DVKM Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme të DVP Shkodër, arrestuan shtetasin J. J., 36 vjeç, banues në Paris, Francë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Gjithashtu, referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasen J. L., 34 vjeçe, banuese në Shkodër. 36-vjeçari ka tentuar të kalojë me automjetin e tij, në PKK Hani i Hotit, në mënyrë të paligjshme, shtetasen J. L., nga Sri Lanka. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Shkodër – Vrau me armë zjarri një 51-vjeçar, falë veprimeve profesionale hetimore, shërbimet e Policisë identifikojnë menjëherë dhe shpallin në kërkim autorin e dyshuar. Vijon krehja e zonës dhe kontrollet intensive për kapjen e këtij shtetasi. Rreth orës 12:15, në lagjen “Tom Kola”, dyshohet se shtetasi L. V. ka vrarë me armë zjarri automatik, në banesë, shtetasin P. V., 51 vjeç. Janë ngritur pika kontrolli në të gjithë zonën, me qëllim kapjen e shtetasit L. V. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Gjatë 48 orëve, në të gjithë vendin, janë proceduar penalisht 120 shtetas, konkretisht: 23 janë vënë në pranga, 95 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 2 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Vijon puna intensive me qëllim lokalizimin, kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 8 raste, me 4 shtetas të vënë në pranga dhe 5 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 18 raste, 2 prej tyre me autorë të shpallur në kërkim, ndërsa për rastet e tjera, 1 shtetas është vënë në pranga dhe 17 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 3 raste, me 3 shtetas të vënë në pranga.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 4 raste, me 1 shtetas të vënë në pranga, 5 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 2 të tjerë të shpallur në kërkim.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 10 raste, 6 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera, 2 shtetas janë vënë në pranga, 1 shtetas është shpallur në kërkim dhe 1 shtetas është proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 23 raste, prej këtyre 2 raste me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa për rastet e tjera është shpallur në kërkim 1 shtetas dhe 24 të tjerë janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 14 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 11 raste, me 4 shtetas të vënë në pranga, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 6 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Janë plotësuar 14 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” dhe 2 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit”, me 2 shtetas të arrestuar dhe 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, në total.
Gjithashtu, janë evidentuar:
– 1 rast i veprës penale “Dhunimi i banesës”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
– 1 rast i veprës penale “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, me 10 shtetas të proceduar në gjendje të lirë;
-nga 2 raste të veprave penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” dhe “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me nga 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, për secilin rast.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 5 aksidente, si pasojë e të cilave janë dëmtuar 6 shtetas. Janë evidentuar në total 18 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, me 8 shtetas të vënë në pranga dhe 10 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.