Policia e Shtetit
Shërbime shtesë janë angazhuar në terren gjatë kësaj fundjave, për goditjen e krimit, si dhe për zbardhjen e ngjarjeve kriminale.
7 operacione policore vetëm gjatë ditës së sotme, në të gjitha qarqet, kanë goditur raste të të gjitha llojeve të veprimtarive kriminale.
Policia Kufitare në Kapshticë dhe në Kakavije goditi 2 raste të tentativave për të trafikuar drejt Greqisë, heroinë, kokainë dhe kanabis. 3 shtetas u arrestuan në flagrancë, pasi iu gjetën këto lëndë narkotike, në trup dhe në çantë.
Operacioni “Gorishova” sekuestroi sasi kanabisi, armë sportive, armë të ftohtë dhe municion që mbaheshin në banesa, nga 2 kushërinj.
Operacioni “Vigu” në Shkodër vuri në pranga një 25-vjeçar, pasi lëvizte me kallashnikov me vete.
Reagimi i menjëhershëm i Policisë, si dhe veprimet e thelluara hetimore, të kryera së bashku me prokuroritë përkatëse, zbardhen ngjarje kriminale në të gjithë vendin.
Operacioni “Platforma” në Durrës, vuri në pranga bashkautorin e plagosjes me armë zjarri, të dy shtetasve, ngjarje kriminale e kryer pas një konflikti në TikTok;
Në Skrapar, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim dy 19-vjeçarë, pasi për motive të dobëta, qëlluan me armë zjarri në drejtim të automjetit me të cilin do të lëvizte një bashkëmoshatar i tyre;
Në Shkodër, u identifikua dhe u shpall në kërkim një 27-vjeçar, pasi qëlloi me armë zjarri drejt një marketi ku nuk kishte mundur të vidhte disa ditë më parë;
Në Dibër, 2 vjedhje u zbardhën dhe autori i tyre, me kanabis me vete, u vu në pranga.
Policia Kufitare e Vlorës, Delta Forcë dhe DVP Vlorë finalizuan operacionin policor të koduar “Border”, në kuadër të të cilit u vunë në pranga 4 shtetas, për transportimin e 29 emigrantëve.
”Game Over 4”, plani operacional kundër lojërave të fatit, vuri në pranga 4 shtetas në kryeqytet, pasi vinin baste nëpërmjet celularëve.
10 shtetas të tjerë u vunë në pranga në Fier, Vlorë, Elbasan dhe Tiranë, si rezultat i kontrolleve dhe aksioneve policore kundër paligjshmërive dhe krimit.
Puna hetimore dhe operacionale vijon në çdo qark të vendit, për të parandaluar dhe goditur kultivimin e bimëve narkotike, trafiqet e paligjshme, armëmbajtjen pa leje dhe lojërat e fatit, si dhe për të kapur shtetasit e shpallur në kërkim.