Finalizohet një tjetër operacion për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit.
Operacioni policor “Golemi”, zhvilluar nga strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër.
Në pranga dy shtetas, të cilët transportonin 4 shtetas nga vendet e Lindjes së Mesme.
Në kuadër të masave të marra për parandalimin e kontrabandimit të klandestinëve nga vendet e Lindjes së Mesme, të cilët hyjnë ilegalisht nëpërmjet kufirit të gjelbër nga Greqia për në Shqipëri me destinacion vendet e BE-së, Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bazë të informaconeve të marra në rrugë operative dhe pas një pune të mirorganizuar, finalizuan operacionin policor të koduar “Golemi”.
Si rezultat i operacionit, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
• G. N., 41 vjeç, banues në fshatin Boriç i Madh, Malësi e Madhe.
• V. Y., 53 vjeçe, banuese në Shkodër.
Në aksin rrugor Shkodër-Koplik, në fshatin Golem, këta shtetas u kapën në flagrancë, nga shërbimet e Policisë, duke transportuar me automjetin që drejtohej nga shtetasja V. Y., 4 shtetas me shtetësi dhe kombësi marokene, të cilët kishin destinacion Malin e Zi, e më pas vendet e BE-së (Italinë).
Nga veprimet e para hetimore rezulton se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin siguronin shtetas të vendeve të treta, i strehonin në banesa të ndryshme e më pas i transportonin për në Mal të Zi, kundrejt pagesës.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprën penale ‘’Dhënie ndihme për kalim të paligjshëm të kufirit’’ në bashkëpunim.