Qarku Korçë
✅U përfshi në aksidentin e ndodhur 3 ditë më parë, në fshatin Lumalas, Korçë, ku humbi jetën një këmbësor, vihet në pranga një tjetër drejtues automjeti, i cili pas aksidentit u largua nga vendi i ngjarjes.
✅Vihen në pranga edhe 3 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale.
Në vijim të veprimeve hetimore për aksidentin e ndodhur më datë 10.03.2023, në fshatin Lumalas, Korçë, ku si pasojë humbi jetën shtetasi O. Zh., 39 vjeç, banues në Korçë, specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban të DVP Korçë ndaluan shtetasin O. H., 29 vjeç, banues në fshatin Bulgarec, Korçë, pasi së bashku me shtetasin I. V. (i arrestuar më parë nga Policia), duke drejtuar automjetet e tyre respektive, janë përfshirë në aksidentin me pasojë vdekjen e 39-vjeçarit O. Zh. dhe më pas janë larguar nga vendi i ngjarjes. Po punohet për dokumentimin e plotë dhe sqarimin e rrethanave të aksidentit.
Po nga këta specialistë u arrestua në flagrancë shtetasi A. Xh., 49 vjeç, banues në fshatin Vërdovë, Pogradec, pasi u kap në aksin rrugor “Korçë-Pogradec”, në afërsi të fshatit Vloçisht, Maliq, duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur.
Shërbimet e Stacionit të Policisë Kufitare Qafë Thanë, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, ndaluan shtetasin në kërkim E. SH., 34 vjeç, banues në fshatin Qukës, Librazhd. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim nga Komisariati i Policisë Librazhd, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtjeje. Veprimet e mëtejshme procedurale do të kryen nga Komisariati i Policisë Librazhd.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec arrestuan në flagrancë shtetasin M. P., 28 vjeç, banues në Pogradec, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj të fejuarës së tij.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kolonjë referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasen S. I., 43 vjeçe, banuese në fshatin Shalës, Kolonjë, pasi dyshohet se në qytetin e Ersekës, ka goditur fizikisht, për motive të dobëta, një shtetase tjetër.
Materialet procedurale i kaluan prokurorive të rretheve gjyqësore Korçë dhe Pogradec, për veprime të mëtejshme.