Policia e Shtetit
Të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit u angazhuan gjatë 24 orëve të fundit, në luftën kundër krimit, në të gjitha format e shfaqjes së tij.
Fast Albania kapi në Tiranë, gjatë operacionit policor të koduar “Altamura”, dhe arrestoi me qëllim ekstradimin, një shtetas të shpallur në kërkim ndërkombëtar nga drejtësia italiane, për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve, të kryer në formën e grupit kriminal, në Itali.
Operacioni policor i koduar “Filtri”, i zhvilluar nga disa struktura të Policisë së Shtetit, vuri në sekuestro 22 pasuri (të paluajtshme dhe automjete) në pronësi të një 50-vjeçari aktualisht të akuzuar nga autoritetet belge, si pjesëtar i një organizate kriminale për trafikim droge, si dhe të familjarëve të tij.
Në vijim të operacionit policor të koduar “Twins”, si rezultat i bashkëpunimit mes Policisë së Krujës dhe shërbimeve të Policisë Kufitare të PKK Morinë, u vu në pranga një 23-vjeçar i shpallur në kërkim, pasi nga hetimet rezultoi se në bashkëpunim me 2 vëllezërit e tij binjakë, mbanin në banesë, 2 armë zjarri dhe municion luftarak.
Operacioni policor i koduar “Shëngjini” zbardhi 6 raste vjedhjesh të ndodhura në Shëngjin dhe në Lezhë, gjatë kësaj jave. 3 shtetas u vunë në pranga, 4 të tjerë në hetim.
Policia e Vlorës vuri në pranga një shtetas që masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, dhe mbante në banesë fara kanabisi, me qëllim shitjen e tyre.
Në Durrës u goditën 2 raste të shpërndarjes së lëndës narkotike kanabis, 1 shtetas u vu në pranga, 1 tjetër në hetim.
61 900 euro u sekuestruan në PKK Morinë, dhe poseduesi i tyre u vu në hetim, pasi nuk i deklaroi në këtë pikë kalimi, siç e përcakton ligji.
Falë reagimit të menjëhershëm nga Policia, u kap dhe u shoqërua në Komisariat, një 45-vjeçare, e cila duke drejtuar automjetin, në Shëngjin, aksidentoi një shtetase të mitur dhe u largua nga vendi i ngjarjes.