Sqarim i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë

Sqarim i Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë / Në lidhje me një rast të transmetuar mbrëmjen e djeshme, në emisionin investigativ “Fiks Fare”, në të cilin shfaqej një shtetase që shprehej se ishte paraqitur në Komisariatin e Policisë Lezhë, për të bërë kallëzim se një shtetas e shqetësonte përmes mesazheve telefonike, dhe pretendonte se ky kallëzim nuk i ishte regjistruar nga Policia e Lezhës, ju bëjmë me dije se:

Me datë 03.03.2023, në Komisariatin e Policisë Lezhë, është paraqitur shtetasja K. L., 30 vjeçe, banuese në Lezhë, e cila ka kallëzuar se para rreth 4 vjetësh, kishte komunikuar në rrjete sociale, për një periudhë kohore të shkurtër, me shtetasin B. B. 22 vjeç, banues në Lezhë. Në vijim, 30-vjeçarja ka pretenduar se që nga momenti i shkëputjes së komunikimit me këtë shtetas dhe deri në momentin e paraqitjes për të bërë kallëzim, shtetasi B. B. kishte kërkuar disa herë, përmes shtetasve të tretë që të rikomunikonte me 30-vjeçaren, sjellje e cila i kishte krijuar shqetësim kësaj shtetaseje. Gjatë pyetjeve për sqarime të mëtejshme, shtetasja K. L. nuk ka pranuar të japë identitetet e shtetasve të tretë në mënyrë që të bëhej e mundur marrja e tyre në pyetje në cilësinë e personave që kanë dijeni për rrethanat e ngjarjes, me qëllim sqarimin e plotë të situatës.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë, në përmbushje të plotë të detyrave funksionale, duke ndjekur standardet profesionale të paanshmërisë dhe reagimit të menjëhershëm, konform ligjit, kanë administruar dhe regjistruar kallëzimin e shtetases K. L., pavarësisht se kjo shtetase ka shprehur disa herë gjatë kohës që ishte në zyrë, se me vullnet të plotë dëshironte të tërhiqej nga procedura e këtij kallëzimi dhe mos ta përfundonte.

Me qëllim verifikimin e plotë ligjor të këtij kallëzimi, shërbimet e Policisë së Lezhës kanë kërkuar shoqërimin e shtetasit B. B., i cili pas verifikimeve rezultoi se ndodhet jashtë shtetit.

Për këtë rast, shërbimet e Policisë së Lezhës kanë referuar materialet hetimore në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Lezhë me shkresë nr. prot 1046 datë 06.03.2023, për shtetasin B. B., 22 vjeç, banues në Lezhë, për veprën penale “Përndjekja”.

Drejtoria Vendore e Policisë Lezhë falënderon mediat dhe qytetarët që denoncojnë rastet e paligjshmërive dhe i fton sërish ata që të denoncojnë çdo rast, në Komisariatin Dixhital dhe në numrin 112, duke iu garantuar reagim të menjëhershëm e të paanshëm.