Port Vlorë/Kontrolle intensive nga shërbimet e Policisë Kufitare në Portin e Vlorës, në bashkëpunim me Seksionin e Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Vlorë dhe autoritetet doganore në këtë port, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve ndërkufitare.
Goditet një tjetër rast i kontrabandës së llojeve të ndryshme të mallrave.
Sekuestrohen një sasi medikamentesh mjekësore, lendë e ndaluar pesticide dhe shishe me verë, vihet në pranga drejtuesi i automjetit që tentoi t’i kontrabandonte në vendin tonë.
32-vjeçari që drejtonte automjetin, shtetas me precedent të mëparshëm penal.
Shërbimet e PKK Port Vlorë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Vlorë dhe autoritetet doganore në këtë port, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut dhe në kontrollet me përzgjedhje, në hyrje të RSH-së, kanë kaluar në vijën e dytë, për kontroll më të imtësishëm, furgonin me drejtues shtetasin E. Ç.
Gjatë kontrollit të ushtruar në këtë furgon, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan kuti me medikamente mjekësore, kuti me lëndë të ndaluar pesticide dhe kuti me shishe vere, pa faturë blerjeje.
Në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike e Financiare të DVP Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasin E. Ç., 32 vjeç, banues në Lushnjë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë”, “Kontrabanda me mallra të ndaluara” dhe “Kontrabanda me mallrat e licencuara.”
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.