Policia e Shtetit/Finalizohet operacioni policor i koduar “Impact”.
Ekekutohen 5 masa sigurie “Arrest në burg” dhe 1 masë sigurie “Arrest në shtëpi”.
Masat e sigurisë, për 4 funksionarë të bashkisë Dimal dhe 2 punonjës të sektorit privat.
Specialistët e Njësisë “E” për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Hetimore, në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Drejtorinë e Forcave të Posaçme Operacionale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, në kuadër të hetimeve të zhvilluara për procedimin penal 214, të vitit 2020, nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Impact”.
Në kuadër të këtij operacioni, u bë ekzekutimi i masave të sigurisë “Arrest në burg”, të caktuara nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për 5 shtetas, konkretisht:
A. G., 54 vjeç, banues në fshatin Pashalli, Bashkia Dimal, ish-shef transporti, në bashkinë Dimal, i dyshuar për veprat penale “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike” dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryera në bashkëpunim;
A. P., 44 vjeç, banues në Tiranë, drejtor i Zyrës së Urbanistikës, në bashkinë Dimal, i dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryera në bashkëpunim dhe “Korrupsioni pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”;
A. Ç., 51 vjeç, banues në Dimal, shef i IKMT-së, bashkia Dimal, i dyshuar për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”;
A. D., 38 vjeç, banues në Tiranë, inxhinier i një shoqërie tregtare, i dyshuar për vepren penale “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”;
V. K., 27 vjeç, banues në Tiranë, ekonomist/menaxher i një shoqërie tregtare, i dyshuar për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Gjithashtu, është ekzekutuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi”, për shtetasen V. J., 54 vjeçe, banuese në Berat, ish-shefe e Urbanistikës, në bashkinë Dimal, e dyshuar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, të kryera në bashkëpunim dhe “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.