Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Fushë Krujë/Informacion paraprak-Rreth orës 22:40, në lagjen “Magaze”, Fushë Krujë, në oborrin e banesës së shtetasit M. B., 54 vjeç, ka shpërthyer një sasi e vogël e dyshuar lëndë plasëse, duke shkaktuar dëme të vogla materiale.Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Lushnjë /Informacion paraprak-Rreth orës 22:25, në lagjen “18 Tetori”, Lushnjë, në oborrin e banesës së shtetases L. L., 75 vjeçe, ka shpërthyer lëndë e dyshuar plasëse, duke shkaktuar dëme materiale.Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve.
Tiranë/Finalizohen brenda 12 orëve, 2 operacione policore, të koduara “Cash” dhe “Games”, për goditjen e veprimtarive të ndryshme kriminale në fushën e krimeve ekonomike.Operacionet u zhvilluan nga Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Tiranë.️Operacioni “Cash” – Vihet në pranga një shtetas që ishte shpallur në kërkim, pasi dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë ka hedhur në qarkullim kartëmonedha të dyshuara të falsifikuara. Gjatë kontrollit fizik, të arrestuarit iu gjetën 232 000 lekë të rinj dhe një shumë eurosh, të dyshuara të falsifikuara.️Operacioni “Games”- Arrestohet 37-vjeçari që organizonte lotari të palejuara, në tabakinon e tij, nëpërmjet aparatit celular. Sekuestrohen aparati celular dhe steka me paketa cigaresh, të dyshuara të kontrabanduara, që i tregtonte në subjektin e tij.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërive në fushën e krimeve ekonomiko-financiare, kanë finalizuar brenda 12 orëve, 2 operacione policore, si rezultat i të cilëve janë vënë në pranga 2 shtetas.Në kuadër të operacionit policor të koduar “Cash” u bë ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim:- R. K., 61 vjeç, banues në Tiranë, për të cilin Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Falsifikimi i monedhave”. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim pasi dyshohet se në bashkëpunim me shtetas të tjerë ka hedhur në qarkullim kartëmonedha të dyshuara të falsifikuara.Gjatë kontrollit fizik ndaj shtetasit R. K., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale 232 000 lekë të rinj dhe një shumë eurosh, të dyshuara të falsifikuara.Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe vënien e bashkëpunëtorëve, përpara përgjegjësisë penale.Në kuadër të operacionit policor të koduar “Games” u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit:- B. A., 37 vjeç, banues në Tiranë. Ky shtetas është kapur në tabakinon që administronte, në Rrugën e Elbasanit, duke vënë baste sportive, nëpërmjet aparatit celular. Gjatë kontrollit në tabakino, u gjetën steka me paketa cigaresh, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me aparatin celular.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Durrës/Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së drogave në doza.Vihet në pranga 23-vjeçari që shpërndante drogë në doza, në qytetin e Durrësit dhe kishte përfshirë në këtë veprimtari edhe dy shtetas të mitur, 15 dhe 16 vjeç. Sekuestrohet lënda narkotike kanabis e ndarë në doza, gati për shitje.Shërbimet e Policisë së Durrësit, në vijim të punës për evidentimin dhe goditjen e aktiviteteve kriminale në fushën e narkotikëve, mbështetur dhe nga inteligjenca informative, në kuadër të operacionit policor të koduar “November”, kanë arrestuar në flagrancë shtetasin:-M. B., 23 vjeç, banues në lagjen nr.13, Durrës.Gjatë kontrollit të ushtruar në një ambient të pabanuar, shërbimet e Policisë i gjetën 23-vjeçarit, një sasi lënde narkotike kanabis të ndarë në doza, gati për shitje. Në momentin e kapjes, 23-vjeçari ishte së bashku me dy të mitur, 15 dhe 16 vjeç, të cilët dyshohet se i shfrytëzonte për të shpërndarë lëndë narkotike.Në përfundim të veprimeve, materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Shtytja e të miturve në krim”.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 88 shtetas, konkretisht: 5 janë ndaluar, 24 janë arrestuar, 53 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 6 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 3 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 8 raste, njëri prej tyre mbetur në tentativë, me 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijojnë punën strukturat e Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 7 shtetas të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të veprave penale në fushën e armëmbajtjes pa leje, me 2 shtetas të arrestuar.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 9 raste, me 2 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 6 shtetas të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar 2 raste të veprave penale në fushën e falsifikimit të dokumenteve të ndryshme, me 2 shtetas të ndaluar.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 12 raste, 5 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve vijojnë punën strukturat e Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të arrestuar, 2 shtetas të ndaluar, 4 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilëve vijojnë punën strukturat e Policisë dhe me 1 shtetas tjetër të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i vjedhjes së energjisë elektrike, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 6 raste, 2 prej të cilëve me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve vijojnë punën intensivisht, strukturat e Policise, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 4 shtetas të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 3 raste, me 2 shtetas të arrestuar dhe me 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e urdhrit të mbrojtjes së menjëhershme.
Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Vetëgjyqësia”, “Marrja e padrejtë e fëmijës”, “Goditje për shkak të detyrës” dhe “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Janë evidentuar nga 4 raste të veprës penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; 3 raste të “Prishja e qetësisë publike”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; 2 raste të “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; 1 rast i “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 rast i “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”, me 1 shtetas të arrestuar.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 17 aksidente, si pasojë e të cilëve 1 shtetase ka humbur jetën dhe 24 shtetas të tjerë janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 31 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, me 14 shtetas të arrestuar dhe me 17 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.