Plagosi aksidentalisht, me armë zjarri, 15-vjeçarin, dhe më pas fshehu armën e krimit, Policia e Dibrës zbardh ngjarjen dhe vë në pranga 21-vjeçarin.
Procedohet penalisht edhe një shtetas tjetër, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.
Policia gjen të fshehura në mal, 2 armë zjarri (kallashnikov dhe pushkë).
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Dibër, pas marrjes së njoftimit se një shtetas kishte shkuar në spital, i dëmtuar, dyshohej me armë zjarri, kanë organizuar punën për zbardhjen e ngjarjes.
Falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore, të kryera nga grupi hetimor, në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, u bë e mundur zbardhja e rrethanave të ngjarjes.
Nga hetimet rezultoi se shtetasi K. V., 21 vjeç, mbi fshatin Ceren, në njësinë administrative Kala e Dodës, dyshohet se ka plagosur aksidentalisht me armë zjarri 15-vjecarin, banues në fshatin Ceren, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Menjëherë pas ngjarjes, 21-vjecari ka fshehur në një shkëmb mbi fshatin Ceren, dy armë zjarri, kallashnikov dhe pushkë (me njërën nga të cilat dyshohet se ka plagosur 15-vjeçarin), si dhe një sasi municioni luftarak.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Dibër kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit K. V., 21 vjeç, banues në fshatin Ceren, Dibër, për veprat penale “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe e municionit” dhe “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”.
Gjithashtu, në vijim të veprimeve u referuan materialet në prokurori dhe nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetasin A. L., 21 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, pasi ka qenë i pranishëm gjatë ngjarjes, por nuk ka kallëzuar krimin.
Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gyqësor Dibër, për veprime të mëtejshme.