Goditet një tjetër rast i armëmbajtjes pa leje, shpallet në kërkim 34-vjeçari. Sekuestrohen arma e zjarrit pistoletë dhe një sasi fishekësh.
Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas mbante armë zjarri, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, kanë ushtruar kontroll në banesën e shtetasit E. B. dhe si rezultat u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë dhe një sasi fishekësh.
Në vijim të veprimeve u bë shpallja në kërkim e shtetasit E. B., 34 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”. Vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, për kapjen dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të 34-vjeçarit.
—
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Delvinë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, si rezultat i kontrollit të imtësishëm të territorit, në fshatin Stjar, Delvinë, në ambient të hapur gjetën të kultivuara bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan me zjarr nga ana e shërbimeve të Policisë.
Autori i dyshuar i kësaj veprimtarie kriminale është shtetasi G. Ç., 30 vjeç, i cili u shpall në kërkim për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”. Vijon puna për kapjen dhe vënien e tij përpara përgjegjësisë ligjore.
—
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal për veprat penale “Pushtimi i tokës” dhe “Fshehja e të ardhurave”, për shtetasin M. M., 27 vjeç, pasi gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në vijim të masave për mbarëvajtjen e sezonit turistik, u konstatua se kishte zënë hapësirën publike me shezlongë dhe çadra, të vendosura pa lejen përkatëse, si dhe se nuk lëshonte kupon tatimor për këtë aktivitet.
Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin E. A., 50 vjeç, pasi është konstatuar duke bërë punime ndërtimi, pa lejen e organeve kompetente.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.