Pasi kanë marrë njoftim për 3 vatra zjarri në lagjen muzeale “Kala”, shërbimet “Shqiponja”, menjëherë, kanë shkuar në ndihmë të banorëve të zonës, për të bërë të mundur fikjen e zjarrit.
Për të mos krijuar panik te turistët dhe qytetarët, punonjësit e Policisë kanë përdorur mjete rrethanore, bashkë me banorët, duke bërë të mundur neutralizmin e flakëve, pasi në momentet e para, ndërhyrja e zjarrfikëses ishte e vështirë, për shkak të terrenit, duke qenë se zjarri kishte rënë në disa vatra përreth kalasë.
Reagimi i menjëhershëm i punonjësve të Policisë dhe i banorëve, më pas edhe i zjarrfikësve bëri të mundur parandalimin e përhapjes së zjarrit, i cili mund të kishte dëme të mëdha në lagjen muzeale.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Berat po punojnë për identifikimin e autorit/ve dhe vënien përpara përgjegjësisë penale.
Drejtoria Vendore e Policisë Berat apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast të mos ndezin zjarre, pasi do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe Komisariatin Dixhital, çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.