Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 08 gusht 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Last game”, për goditjen e veprimtarisë së paligjshme në fushën e lojërave të fatit. Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë. Kishte vendosur lokalin në dispozicion për ushtrimin e aktivitetit të kundërligjshëm të lojërave të fatit, vihet në pranga 31-vjeçari. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se një shtetas ushtronte veprimtarinë e palejuar të lojërave të fatit, në lokalin e tij, në Shkozë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Last game”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi L. V., 31 vjeç, për veprat penale “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në ambientet e lokalit në pronësi të shtetasit L. V., në rrugën “Fehmi Ibrahimi”, në Shkozë, në aparatin e tij celular, iu gjetën programe për lojëra fati dhe të dhëna të ndryshme për vendosjen e basteve sportive. Në cilësinë e provës materiale u sekuestrua aparati celular që dyshohet se përdorej për ushtrimin e aktivitetit të lojërave të fatit. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Gjirokastër – Theu masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, arrestohet në flagrancë nga Policia. Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Gjirokastër arrestuan në flagrancë shtetasin K. Ll., banues në  Gjirokastër, pasi ka thyer masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, të caktuar nga Gjykata e Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprat penale “Vjedhja” dhe “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, duke dalë jashtë banesës. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Gjirokastër, si rezultat i kontrollit të territorit, në fshatin Picar, Gjirokastër, në një zonë të pyllëzuar, gjetën të kultivuara bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa, të cilat u asgjësuan. Në vijim të veprimeve hetimore u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë, për shtetasin B. R., 50 vjeç, me detyrë kryeplak i fshatit Picar, Gjirokastër, për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës” dhe “Moskallëzimi i krimit”. Vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e autorit/ve të kultivimit dhe vënien e tyre përpara përgjegjësisë ligjore. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 51 shtetas, konkretisht: 4 janë ndaluar, 13 janë arrestuar në flagrancë dhe 34 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 4 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 4 raste, me 6 të arrestuar dhe 2 të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 5 raste, me 7 autorë të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të dhunës në familje, me 1 autor të arrestuar, 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 në kërkim.

Janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 7 raste, 1 rast me 1 autor të shpallur në kërkim dhe 6 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 2 raste të krimeve mjedisore, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës me zjarr janë evidentuar 2 raste, me nga 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 3 raste, më 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe  2 autorë që po procedohetn në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.

Janë evdientuar 2 raste të “Veprime në këundërshtim me vendimin e gjykatës”, ne 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Prishja e rendit dhe e qetësisë publike”, me 2 të proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i veprës penale “Ngacmimi seksual”, me 1 të proceduar në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 aksidente, me 7 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 7 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 8 të tjerë, për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.