Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë.
Sekuestrohen mallra të ndryshëm të dyshuar të kontrabanduar.
Vihen në pranga 4 shtetas që bashkëpunonin për transportimin dhe tregtimin e këtyre mallrave.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Tiranë, në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kontrabandës me mallra, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Free road 2”.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:
– Y. F., 18 vjeç, banues në Kosovë, faturino dhe pronari i një linje transporti;
– Sh. S., 31 vjeç, banues në Kosovë, shofer i një linje transporti;
– B. K., 53 vjeç, banues në Tiranë, administrator i një subjekti tregtar;
– E. S., 32 vjeç, banues në Elbasan, administrator i një subjekti tregtar.
Shërbimet e Policisë, në afërsi të pallatit të sportit “Asllan Rusi”, kanë lokalizuar dhe ndaluar autobusin me drejtues shtetasin Sh. S. dhe faturino shtetasin Y. F. Gjatë kontrollit në autobus u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, mallra të dyshuara të futura kontrabandë në Shqipëri, pa pullë fiskale, të cilat do t’i merrnin shtetasit B. K. dhe E. S.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme procedurale.