Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 30 korrik 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Elbasan /  Informacion paraprak-Në orët e para të mëngjesit, në lagjen “Skenderbej”, Elbasan dyshohet se shtetasi R.M., 37 vjeç , ka goditur me mjet prerës (thikë), bashkëjetuesen e tij shtetasen J.E., 37 vjeçe. Si pasojë e plagëve të marra ka humbur jetën.Shërbimet e  Policisë janë vënë në ndjekje të autorit dhe vijon krehja e zonës për kapjen e tij.Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 106 shtetas, konkretisht: 7 janë ndaluar, 15 janë arrestuar, 79 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, dy prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 3 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar, si dhe me 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 10 raste, me 3 shtetas të arrestuar, 3 shtetas të ndaluar, 2 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilëve vijon puna nga ana e strukturave të Policisë dhe me 10 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 2 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 5 raste, me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu janë evidentuar 5 raste të veprimtarisë së kundërligjshme të falsifikimit të dokumenteve të ndryshme, me 1 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar dhe 5 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 14 raste, prej tyre, 6 raste janë me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të ndaluar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 7 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i veprës penale “Vjedhja e energjisë elektrike”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror” janë evidentuar 8 raste, me 8 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 16 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, ndërsa rastet e tjera rezultojnë me 3 shtetas të arrestuar dhe me 13 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë. Janë evidentuar 5 raste të djegies së pronave/pasurive të ndryshme, 2 prej të  cilave rezultojnë me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë, ndërsa për rastet e tjera vijon puna nga ana e strukturave të Policisë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 2 raste, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 8 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale penale “Trafikimi i mjeteve motorike”, “Vetëgjyqësia”, “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, “Moskallëzimi i krimit”, “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike” dhe “Përvetësimi i titullit apo i detyrës shtetërore”, me 6 shtetas në total, të proceduar në gjendje të lirë.

Gjithashtu, janë evidentuar: 2 raste të veprës penale “Prishja e qetësisë publike”, me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, 2 raste të veprës penale “Ngacmimi seksual”, me 2 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilëve vijon puna nga ana e strukturave të Policisë, si dhe me 1 shtetas tjetër të proceduar në gjendje të lirë, 2 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë dhe 1 rast i veprës penale “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 10 aksidente, si pasojë e të cilëve 18 shtetas janë dëmtuar. Janë evidentuar në total 21 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, me 9 shtetas të arrestuar, si dhe me 12 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e mjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.