Në vijim të kontrolleve të pandërprera për goditjen e paligjshmërisë në çdo formë të shfaqjes së saj, specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Lezhë dhe specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Kurbin arrestuan në flagrancë shtetasin:
-E.(I).M. 47 vjeç, banues në Kurbin, për veprat penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të rendit publik”, “Mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Drejtim i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
Ky shtetas nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar për kontroll, automjetin me të cilin qarkullonte në qytetin e Laçit. Pas ndalimit dhe kapjes së tij, është testuar me pajisje alkool-testuese ku ka rezultuar se 47-vjeçari e drejtonte automjetin, në gjendje të dehur, si dhe si rezultat i kontrollit të imtësishëm të shërbimeve të Policisë në automjet, këtij shtetasi i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një krehër pistolete dhe disa fishekë.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Kurbin, për veprime të mëtejshme procedurale.