Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 21 korrik 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Elbasan – Finalizohet operacioni policor i koduar “Start”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje. Operacioni, i zhvilluar nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Sektorin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme dhe me Sektorin Operacional në DVP Elbasan. Sekuestrohen një armë zjarri pushkë dhe një armë e ftohtë (thikë). Vihet në pranga 46-vjeçari që i mbante në banesë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Sektorin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme dhe me Sektorin Operacional në DVP Elbasan, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se një shtetas mbante armë zjarri në banesë, kanë organizuar dhe finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Start”. Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: K. R., 46 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit K. R., shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri pushkë dhe një armë të ftohtë (thikë). Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Kukës/Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Cooperation”. Operacioni, i zhvilluar nga strukturat e DVP Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kukës, Forcën e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorinë e Rrethit Kukës. Goditet një rast i tentativës për trafikim të lëndëve narkotike, një rast i kultivimit të bimëve narkotike dhe një rast në fushën e armëmbajtjes pa leje. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas, shpallet në kërkim vëllai i njërit prej tyre. Sekuestrohen rreth 6 kilogramë lëndë e dyshuar narkotike kanabis, municion luftarak dhe rreth 1 kg lëndë eksplozive. Strukturat e DVP Kukës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kukës, Forcën e Posaçme Operacionale në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Prokurorinë e Rrethit Kukës, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e trafikimit të lëndëve narkotikëve, pas një hetimi 1-mujor, bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë policore,  se një shtetas do të trafikonte një sasi lënde narkotike drejt Kukësit, me destinacion Kosovën, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Cooperation”. Si rezultat i operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve: P. A., 47 vjeç, banues në fshatin Brekije, Kukës dhe F. K., 36 vjeç, banues në Mamurras, Kurbin. Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetasit F. A., vëllai i shtetasit P. A. Gjatë operacionit, në hyrje të qytetit të Kukësit, shërbimet e Policisë ndaluan automjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin P. A., në të cilin, gjatë kontrollit, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 6 kilogramë lëndë të dyshuar narkotike kanabis. Më pas, gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e shtetasit P. A., shërbimet e Policisë gjetën një sasi municioni luftarak, ndërsa në afërsi të banesës së vëllait të tij, shtetasit F. A., gjetën rreth 1 kg lëndë të dyshuar eksplozive. Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit të ushtruar në territorin përreth banesës së shtetasit F. K., në fshatin Dardhas, shërbimet e Policisë gjetën bimë të dyshuara narkotike, që dyshohet se janë kultivuar nga ky shtetas. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lënda narkotike, muncioni luftarak, lënda eksplozive dhe 2 automjete. Vijojnë hetimet për identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kukës, për veprime të mëtejshme.

Qarku Korçë – Vijon operacioni policor “Perimetri 183”. U kap duke transportuar 5 emigrantë të paligjshëm, kundrejt fitimit, vihet në pranga 1 tjetër shtetas. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Korçë, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit K. M., 22 vjeç, banues në fshatin Drithas, Maliq. Shërbimet e Policisë e kanë kapur këtë shtetas, në aksin rrugor Korçë-Pogradec, në afërsi të kryqëzimit të Podgories, duke transportuar me mjetin tip “Benz”, në drejtim të Tiranës, 5 emigrantë të paligjshëm, të cilëve kundrejt shpërblimit iu kishte premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Sarandë/Informacion paraprak – Sot, në mesditë, në spitalin e Sarandës është paraqitur për ndihmë mjekësore, shtetasi M. J., 30 vjeç, banues në Dibër, i cili dyshohet se është dëmtuar aksidentalisht në kokë, duke notuar në pishinë. 30-vjeçari është dërguar në Spitalin e Traumës, Tiranë, për mjekim më të specializuar. Grupi hetimor po kryen veprimet për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Kukës/Informacion paraprak – Më datë 21.07.2022, në fshatin Pobreg, shtetasi N. H.,  rreth 28 vjeç, (punëtor)duke punuar në një banesë për hapjen e një pusi, ka rënë në kontakt me rrymën elektrike dhe për pasojë ka ndërruar jetë. Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për përcaktimin e rrethanave të ngjarjes

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 67 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 17 janë arrestuar në flagrancë dhe 48 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, me 2 të arrestuar dhe 4 të shpallur në kërkim.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste, me 2 autorë të arrestuar në flagrancë, 4 të proceduar penalisht dhe 1 të shpallur në kërkim.

Janë evidentuar 8 raste të dhunës në familje, me 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, 1 të arrestuar dhe 1 të arrestuar. Janë plotësuar 13 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 8 raste, 2 prej tyre me 2 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 6 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 6 raste të krimeve mjedisore, me 6 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të vjedhjes së energjisë elektrike, me 2 autorë që po procedohen ën gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës me zjarr janë evidentuar 7 raste, me autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 2 raste, me 1 të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, me 7 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar i “Dhënia ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 rastë të “Përdorimi me kedashje i thirrjeve telefonike”, me 2 shtetas të proceduar.

Në fushën e shkatërrimit të pronës me zjarr janë evdientuar 7 raste, me 10 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i korrupsionit aktiv, me 1 të dyshuar të proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar 1 rast i “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës”, me 1 të arrestuar.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 aksidente, me 5 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 6 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 9 të tjerë, për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.