Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 19 korrik 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Vlorë – Nuk respektoi kufizimin me bova detare dhe u fut në zonën ku nuk lejohen mjetet lundruese, për pasojë dëmtoi një shtetas të mitur, vihet në pranga 40-vjeçari. Sekuestrohet mjeti lundrues tip motoskaf. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Vlorë, në vijim të veprimeve hetimore në lidhje me ngjarjen e ndodhur pasditen e djeshme, në plazhin e Jonufrës, arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, shtetasin A. K., 40 vjeç, banues në Tiranë. Shtetasi A. K. nuk ka respektuar kufizimin me bova detare dhe është futur në zonën në të cilën nuk lejohet lëvizja e mjeteve lundruese, ku si pasojë ka dëmtuar një 7-vjeçar që ishte duke notuar, i cili aktualisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.

Bulqizë-Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Bulqizë u referuan materialet në Prokurori, për veprën penale “Dekalarata e rreme para oficerit të policisë gjyqësore”, për shtetasin E. P., 42 vjeç, banues në Bulqizë. Ky shtetas ka dhënë dëshmi të rreme para oficerit të policisë gjyqësore, për dëmtimin e tij gjatë punës si brigadier në një subjekt minerar.

Lushnjë-Në datën 18.07.2022, u referuan materialet në Prokurori, pasi në fshatin Bubullimë, Lushnjë, në banesën e shtetasit F. T., 52 vjeç, janë vjedhur 40.000 lekë. Po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorit.

DVP Shkodër-Pukë/Kontrolle masive në të gjithë territorin, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike. Evidentohet dhe goditet një rast i kësaj veprimtarie kriminale, punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pukë, në vijim të kontrolleve masive në të gjithë territorin, me qëllim parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike, në vendin e quajtur “Kodra Luzër”, në fshatin Kokdodë, njësia administrative Fierzë, Fushë Arrëz, kanë konstatuar bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa. Në vijim të veprimeve procedurale u referuan materialet në Prokurori, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, dhe nisi procedimi penal për shtetasit: G. K., 32 vjeç, banues në Fushë Arrëz, me detyrë kryeplak i fshatit Berishë Vëndi; A. M., 24 vjeç, banues në fshatin Iballë, Fushë Arrëz, me detyrë teknik i pyjeve; D. Z., 57 vjeç, banues në fshatin Kokdodë, Fushë Arrëz, me detyrë teknik i pyjeve dhe kryeplak i fshatit Kokdodë, Fushë Arrëz. Vijon puna hetimore për identifikimin, kapjen dhe vënien e autorëve para përgjegjësisë penale dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti. Në orët e para të mëngjesit të ditës së sotme, në aksin rrugor Shkodër-Velipojë, në afërsi të fshatit Trush, Shkodër, ka dalë nga rruga automjeti tip “Volkswagen”, me drejtues shtetasin A. Ç., 33 vjeç. Si pasojë janë dëmtuar  drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri, shtetasi D. B., 42 vjeç, banues në Malësi e Madhe, të cilët po marrin mjekim në spital. Më datë 18.07.2022, në fshatin Rrencë, është qëlluar me armë zjarri në drejtim të lokalit në pronësi të shtetasit T. P., 56 vjeç. Për pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Vazhdojnë hetimet për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve, si dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 51 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 8 janë arrestuar në flagrancë dhe 41 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 7 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 3 raste, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 1 të arrestuar në flagrancë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 8 raste, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 8 autorë që po procedohen penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të dhunës në familje, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë dhe 2 të shpallur në kërkim. Janë plotësuar 9 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 12 raste, 5 prej tyre me 21 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë të proceduar në gjendje të lirë dhe 7 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.  Është evidentuar edhe 1 rast i vjedhjes me dhunë, me 1 autor të shpallur në kërkim.

Janë evidentuar 4 raste të krimeve mjedisore, me 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës me zjarr janë evidentuar 8 raste, me autorë që po rpocedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 2 raste, me 2 të peoceduar penalisht në gjendje të lirë.

Ështëë evidentuar 1 rast i veprës penale “Vetëgjyqësia” dhe 1 rast veprës penale “Pushtim toke”, me nga 1 autor të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 3 raste të korrupsionit aktiv, me 3 të proceduar në gjendje të lirë.

Është evdientuar 1 rast i “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, me 1 shtetas të arrestuar në flagrancë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 7 aksidente, me 1 viktimë dhe 6 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë arrestuar në flagrancë 4 shtetas dhe janë proceduar në gjendje të lirë 5 të tjerë, për vepra penale në fushën e qarkullimit rrugor.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.