Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Durrës – Finalizohet operacioni policor i koduar “Check”. Operacioni, i zhvilluar nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Plazh. Mbante me vete dhe në banesë, një sasi lënde të dyshuar narkotike, kanabis, me qëllim shitjen e saj, arrestohet në flagrancë 23-vjeçari. Sekuestrohet në cilësinë e provës materiale, lënda e dyshuar narkotike, kanabis. Specialistët e Seksionit të Hetimit të Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Durrës, në bashkëpunim me Stacionin e Policisë Plazh, në vijim të punës për goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, si dhe në bazë të informacioneve të marra në rrugë operative, se një shtetas shpërndante lëndë të dyshuar narkotike kanabis, në lagjen nr.13, Durrës, menjëherë organizuan punën dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Check”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit H. K., 23 vjeç, banues në lagjen nr.13 Durrës, për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”. Gjatë kontrollit fizik dhe në banesën e 23-vjeçarit, të ushtruar nga shërbimet e Policisë, u gjet dhe sekuestrua, në cilësinë e provës materiale, një sasi lënde e dyshuar narkotike, kanabis. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprime të mëtejshme.
Elbasan/Informacione paraprake – Më datë 26.06.2022, rreth orës 02:30, ka shkuar me ambulancë, në spitalin e Elbasanit, i dëmtuar në krah, shtetasi D. K., 22 vjeç, banues në lagjen “Teqe”, Peqin, i cili ka deklaruar se është dëmtuar në krah si pasojë e rrëzimit. Gjatë kontrollit që shërbimet e Policisë kanë ushtruar në automjetin e 22-vjeçarit, u gjetën një kapuç, një palë doreza, një matrapik dhe një varré hekuri, pajisje të cilat dyshohet se ky shtetas i përdorte për të kryer vjedhje. Shtetasi D. K. është transportuar për ndihmë mjekësore, në spitalin e Tiranës jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, për përcaktimin e shkakut dhe se me çfarë është dëmtuar në krah, 22-vjeçari. Më datë 25.06.2022, rreth orës 22:00, në lagjen “Haxhias”, Elbasan, dyshohet se është vetëhedhur nga kati i tretë i pallatit ku banonte, shtetasi H. H., 29 vjeç. Si pasojë e dëmtimeve të marra, ky shtetas ndodhet në spitalin e Elbasanit, aktualisht jashtë rrezikut për jetën. Grupi hetimor vijon punen për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje.
Qarku Korçë – Vijon operacioni policor “Perimetri 179”. Goditet një tjetër rast i aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. Vihet në pranga 1 shtetas, i cili ndihmoi 5 emigrantë të paligjshëm të shmangnin postbllokun policor, me qëllim që më pas t’i transportonte kundrejt fitimit në drejtim të Tiranës. Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me shërbimet e Komisariatit të Policisë Maliq, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit E. Xh., 21 vjeç, banues në Korçë. Nga verifikimet e kreyera rezulton se shtetasi i mësipërm, porsa ka konstatuar në largësi shërbimet e postbllokut të policisë, në aksin rrugor Maliq-Lozhan, në afërsi të vendit të quajtur “Tyrbja e Goçës”, me qëllim që të shmangte përgjegjësinë penale, ka zbritur nga automjeti tip “Benz” që ai drejtonte, 5 emigrantë të paligjshëm, të cilët i kishte orientuar si të shmangnin postbllokun policor, në mënyrë që t’i merrte sërish më pas në mjetin e tij, për t’i transportuar kundrejt shpërblimit, në drejtim të Tiranës. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan mjeti tip “Benz”, tre aparate celulari dhe një sasi në vlera të ndryshme monetare. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Korçë/Informacion paraprak – Më datë 26.06.2022, rreth orës 14:30, jemi njoftuar se tek parku “Rinia”, Korçë, është rrëzuar dhe për pasojë ka ndërruar jetë shtetasi A. S., rreth 62 vjeç, banues në Korçë. Nga këqyrja paraprake e trupit, nuk janë konstatuar shenja dhune dhe nga të dhënat e para dyshohet se ky shtetas mund të ketë gjetur vdekjen, nga shkaqe natyrore. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
Tropojë/Informacion paraprak – Rreth orës 18:00, jemi njoftuar se në zonën e Valbonës, 2 shtetas (bashkëshortë/aplinistë), duke eksploruar zonën, për shkak të terrenit të thepisur, janë bllokuar dhe nga informacionet paraprake, njëri prej tyre është dëmtuar dhe në pamundësi për të lëvizur. Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë të Komisariatit Tropojë, së bashku me ekipin mjekësor, janë nisur në drejtim të zonës ku dyshohet se janë bllokuar alpinistët. Për shkak të terrenit të vështirë dhe të thepisur dhe të largësisë së turistëve nga zona që mund të përshkohet me automjete, është kërkuar ndërhyrja e helikopterit, me qëllim ofrimin e ndihmës për shtetasit e dëmtuar. Nga informacionet e deritanishme, 2 alpinistët e bllokuar po asistohen edhe nga 2 shtetas të tjerë (alpinistë), të cilët po eksploronin gjithashtu zonën e Valbonës.
Tepelenë/Informacion paraprak – Rreth orës 20:15, në rrugën “Bilbilenjtë”, në lagjen “Mustafa Matohiti”, Tepelenë, shtetasi A. B., banues në Tepelenë, duke drejtuar automjetin tip “Toyota”, ka përplasur 2 fëmijë, të cilët u transportuan në spital, për të marrë ndihmën mjekësore dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën. Drejtuesi i automjetit u shoqërua në ambientet e Komisariatit të Policisë Tepelenë për të kryer procedurat e mëtejshme. Në vendngjarje ndodhet grupi hetimor dhe po punon për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Malësi e Madhe – Finalizohet operacioni policor i koduar “Prevention”. Parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm i një konflikti me armë zjarri. Qëlloi me armë zjarri në ajër, pas një konflikti për motive pronësie me xhaxhain e tij, vihet në pranga 29-vjeçari. Sekuestrohet arma e zjarrit automatik. Nga strukturat e Komisariatit të Policisë Malësi e Madhe, pas marrjes së njoftimit për kanosje me armë zjarri për motive pronësie, është organizuar dhe finalizuar operacioni policor i koduar “Prevention”, për parandalimin e përshkallëzimit të këtij konflikti. Si rezultat i këtij operacioni është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasit S. K., 29 vjeç, banues në fshatin Gruemirë-Çezme, Malësi e Madhe. Ky shtetas, pasi është konfliktuar për motive pronësie, me xhaxhain e tij, shtetasin Sh. K., 64 vjeç, e ka kanosur atë duke qëlluar në ajër me armë zjarri automatik. Falë veprimeve të shpejta, shërbimet e Policisë kanë kapur dhe arrestuar në flagrancë 29-vjeçarin, duke parandaluar kështu përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit. Gjatë kontrollit të zonës, në vendin e quajtur “Grop Kuqe Bracaj” të fshatit Gruemirë-Çezme, Malësi e Madhe, u gjet dhe u sekuestrua në cilësinë e provës materiale arma e zjarrit me të cilën dyshohet se ka qëlluar në ajër shtetasi S. K. Materialet iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër, për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe e municionit”.
Tiranë – Dhunoi bashkëjetuesen, kundërshtoi dhe goditi për shkak të detyrës punonjësit e Policisë, gjatë shoqërimit, vihet në pranga 26-vjeçari. Në pranga edhe bashkëjetuesja dhe babai i tij, të cilët kundërshtuan dhe goditën punonjësit e Policisë, gjatë shoqërimit të 26-vjeçarit. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, pas marrjes së njoftimit se në rrugën “Marie Logoreci”, një shtetas po dhunonte bashkëjetuesen e tij, menjëherë kanë shkuar në adresën e dhënë. Gjatë shoqërimit, shtetasi O. Xh., i cili kishte dhunuar bashkëjetuesen e tij, shtetasen H. D., 23 vjeçe, së bashku me 23-vjeçaren dhe babain e tij, shtetasin E. Xh., kanë kundërshtuar dhe goditur për shkak të detyrës punonjësit e Policisë, për të penguar shoqërimin në Komisariat. Në vijim të veprimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit: O. Xh., 26 vjeç, për veprat penale “Dhuna në familje”, “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”; E. Xh., 55 vjeç dhe H. D., 23 vjeçe, për veprat penale “Goditja për shkak të detyrës” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së rendit publik”. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Tiranë – Finalizohet operacioni policor i koduar “Tranzit 26”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufijve. Operacioni, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6. Vihet në pranga 1 shtetas që u kap në flagrancë duke transportuar 6 emigrantë të paligjshëm. Procedohen penalisht edhe 6 emigrantët, për kalim të paligjshëm të kufirit. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas transportonte emigrantë, nga Tirana në drejtim të Shkodrës, me qëllim kalimin e tyre në Mal të Zi, me destinacion final vendet e BE-së, organizuan dhe finalizuan operacionin “Tranzit 26”, për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale. Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. U., 31 vjeç, banues në Shkodër. Ky shtetas është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në afërsi të Casa Italia-s, duke transportuar me një automjet, 6 emigrantë, të cilëve, kundrejt shpërblimit monetar, iu kishte premtuar transportimin nga Tirana në drejtim të Shkodrës, me qëllim kalimin e tyre në Mal të Zi, me destinacion final vendet e BE-së. Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht 6 emigrantët e paligjshëm, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”. Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna hetimore për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.
Durrës – Vihen në pranga 4 shtetas, për vepra të ndryshme. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Durrës arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, shtetasin F. D., 59 vjeç, banues në Gjermani, pasi në PKK Port Durrës, në automjetin që drejtonte, kishte marrë pasagjer shtetasin F. D., 25 vjeç, banues në Kosovë, i cili kishte dokumente identifikimi bullgare, të dyshuara të falsifikuara. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Durrës arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, shtetasin F. D., 25 vjeç, banues në Kosovë, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare, në PKK Port Durrës, duke tentuar të kalojë kufirin me dokumente të falsifikuara. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Plazh arrestuan në flagrancë shtetasin R. K., 32 vjeç, pasi ka furnizuar automjetin me karburat, në një pikë karburanti, dhe është larguar pa bërë pagesën. Pas ndalimit nga Policia rezultoi se 32-vjeçari drejtonte automjetin, në gjendje të dehur. Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, shtetasen E. S., 38 vjeçe, banues në Tiranë, pasi është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin Xh. R., 26 vjeç, banues në Durrës, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
DVP Fier – Goditet një rast i kultivimit të bimëve narkotike, arrestohet në flagrancë autori i dyshuar. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin Sh. V., 42 vjeç, banues në Baltëz, Fier, pasi gjatë kontrollit masiv të territorit për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, në një parcelë afër banesës së tij, shërbimet e Policisë gjetën të kultivuara bimë narkotike të dyshuara cannabis sativa. Nga veprimet hetimore dyshohet se autor i kultivimit të tyre është shtetasi Sh. V. Po nga këto struktura u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin K. Sh., banues në Seman, Fier, pasi dyshohet se ka kanosur me sende të forta shtetasin T. N., 81 vjeç. Lushnjë/Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lushnjë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Dhunë në familje”, shtetasin S. B., 61 vjeç, banues në Lushnjë, pasi ka ushtruar dhunë fizike ndaj djalit të xhaxhait të tij, shtetasit M. B. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
DVP Korçë – Ndalohen 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe procedohen në gjendje të lirë 5 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Specialistët e Trafikut Urban dhe Interurban pranë DVP Korçë bënë ndalimin e shtetasit D. D., 40 vjeç, banues në Bilisht, Devoll, i shpallur në kërkim për veprat penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt” dhe “Largimi nga vendi i aksidentit”. Ky shtetas, më datë 25.06.2022, në qytetin e Bilishtit, duke drejtuar pa leje drejtimi mjetin tip “Fiat”, ka përplasur mjetin tip “BMË”, me drejtues shtetasin Ç. Ll., duke i shkaktuar dëme materiale, dhe më pas është larguar nga vendi i aksidentit. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec bënë ndalimin e shtetasit në kërkim A. P., 30 vjeç, banues në fshatin Tushemisht, Pogradec, pasi Gjykata e Apelit Korçë, me vendimin e datës 28.04.2022, e ka dënuar me 1 muaj burg, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Gjithashtu, nga këto struktura u referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit: E. M., 66 vjeç dhe L. A., 45 vjeç, banues në fshatin Buçimas, Pogradec, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, pasi në këtë fshat, gjatë një konflikti të çastit, kanë goditur njëri-tjetrin me grushte dhe me sende të forta; A. Sh., 58 vjeç, banues në fshatin Buqezë, Pogradec, për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, pasi u konstatua duke kryer punime pa leje, në këtë fshat. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq referuan materialet në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit E. B., 35 vjeç dhe U. A., 18 vjeç, banues në Maliq, për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, pasi kanë goditur me grushte në fytyrë, shtetasin N. B. Materialet i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec, për veprime të mëtejshme.
DVP Vlorë – Vihen në pranga 4 shtetas dhe procedohen në gjendje të lirë 2 të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë shtetasin J. Ç., 40 vjec, banues në Tiranë, pasi dyshohet se ka vjedhur në banesën e shtetasit U. Ç, banues në Sarandë, 2 aparate celulare, 2 ora dore dhe një shumë parash. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë shtetasit A. G., 43 vjeçe, banues në Florida, SHBA, pasi ditën e djeshme, duke drejtuar automjetin, është përplasur me motomjetin me drejtues shtetasin R. H., 71 vjeç, i cili si pasojë e aksidentit ka ndërruar jetë; R. A., 30 vjeç, banues në Vlorë, pasi është kapur duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi; E. R., 29 vjeç, banues në Vlorë, pasi është kapur duke drejtuar automjetin, në gjendje të dehur. Po nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A. B., 23 vjeç, banues në Greqi, pasi ka bërë kallëzim shtetasi E. M., 33 vjeç, se 23-vjeçari, me anë të mashtrimit i ka marrë me qira një automjet tip “Toyota”, të cilin nuk ia ka kthyer më. Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Orikum u referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin A. l., 38 vjeç, banues në Vlorë, pasi është konstatuar duke ndërtuar një strukturë me material hekuri, në Radhimë, pa lejen e organeve kompetente. Materialet i kaluan Prokurorisë Vlorë dhe Prokurorisë Sarandë, për veprime të mëtejshme.
Tiranë – Vihen në pranga 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 2 arrestuan në flagrancë shtetasin B. Ç., banues në Tiranë, për veprat penale “Dhuna në familje” dhe “Veprime në kundërshtim me vendimin e Gjykatës”, pasi në kundërshtim me vendimin e Gjykatës, ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes, e cila është e pajisur me urdhër mbrojtjeje. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 3 arrestuan shtetasin B. H., 32 vjeç, për veprën penale “Përndjekja”, pasi ka përndjekur shtetasen M. K. Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kavajë arrestuan në flagrancë shtetasin E. H., 32 vjeç, banues në fshatin Gosë e Madhe, Kavajë, pasi ka tentuar të kryejë marrëdhënie seksuale me një shtetase 37 vjeçe, pa dëshirën e saj. Në Komisariatin e Policisë Nr. 4 është paraqitur dhe ka bërë kallëzim shtetasja F. L., 32 vjeçe, se është larguar nga basesa dhë nuk është kthyer më, djali i saj 10 vjeç. Punohet për gjetjen e tij. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.
Dibër – U referuan materialet procedurale në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër, për ngjarje aksidentale, pasi më datë 26.06.2022, shtetasi N. B., 60 vjeç, banues në Dibër, duke zbritur nga automjeti i parkuar i shtetasit E. T., dyshohet se aksidentalisht është rrëzuar në tokë dhe për pasojë ka marrë dëmtime në kokë. Shtetasi N. B., pas ndihmës mjekësore në spitalin e Peshkopisë është transportuar për ndihmë mjekësore më të specializuar në spitalin e Traumës, Tiranë.
DVP Elbasan – Vihen në pranga 3 shtetas dhe shpallet në kërkim 1 tjetër, për vepra të ndryshme penale. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Peqin arrestuan në flagrancë shtetasin D. K., 22 vjeç, banues në Peqin, për veprat penale “Kallëzimi i rremë” dhe “Sigurimi i mjeteve për vjedhje”. Ditën e djeshme është paraqitur i dëmtuar në spital shtetasi D. K., i cili fillimisht ka deklaruar se ishte dëmtuar në krah pasi ishte rrëzuar. Më pas, 22-vjeçari ka deklaruar se gjatë kohës që ka qenë duke drejtuar mjetin, e kishin qëlluar me armë zjarri nga një automjet i paidentifikuar, në autostradë, por pa përcaktuar një vend specifik. Nga veprimet hetimore dhe këqyrja e vendit të dyshuar të ngjarjes ka rezultuar se shtetasi D. K. ka dhënë deklarata të rreme përpara punonjësve të Policisë. Gjatë kontrollit në automjetin e tij, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar një kapuç, një palë doreza, një matrapik dhe një varré hekuri, pajisje të cilat dyshohet se ky shtetas i përdorte për të kryer vjedhje. Nën drejtimin e Prokurorisë vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e kësaj ngjarjeje. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë shtetasin S. B., 46 vjeç, banues në Elbasan dhe shpallën në kërkim shtetasin Th. B., 36 vjeç, banues në Elbasan, për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim dhe “Vjedhja”, pasi në lagjen “Shënkoll”, dyshohet se kanë tentuar të vjedhin në lokalin e shtetasit A. B., të cilin e kanë goditur me mjete të forta dhe me mjet prerës. Shtetasi A. B. ndodhet në spital, jashtë rrezikut për jetën. Specialistët e Qarkullimit Rrugor arrestuan në flagrancë shtetasin M. M., 55 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”, pasi duke drejtuar automjetin, në bulevardin “Qemal Stafa”, ka aksidentuar shtetasin P. M., i cili po merr mjekim në spitalin e Traumës, Tiranë. Në vijim të informacionit për largimin nga banesa të shtetases Dh. A., 27 vjeçe, ju bëjmë me dije se kjo shtetase është kthyer në banesën e saj. 27-vjeçarja ka deklaruar se është larguar me dëshirën e saj dhe nuk ka patur mundësi komunikimi me familjen. Më datë 26.06.2022, në lagjen “Shënkoll”, Elbasan, është gjetur nga familjarët, në banesë, e vetëvaruar, pa shenja dhune, shtetasja Xh. M., 17 vjeçe. Nga veprimet e para hetimore dyshohet që kjo shtetase të jetë vetëvarur në kushte depresioni. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Shëngjin – Në vijim të informacionit paraprak për konfliktin e ndodhur ditën e djeshme, në Kune, Shëngjin, ju informojmë se: Nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Lezhë, pas veprimeve hetimore, u bë zbardhja e plotë e dinamikës së këtij konflikti për motive pronësie, në të cilin u përfshinë shtetasit A.(P). D. dhe E. D. me shtetasit A. M. dhe E. M. Në vijim të veprimeve procedurale u bë shpallja në kërkim e shtetasit A.(P). D., 48 vjeç, banues në Shëngjin, pasi ka goditur me sende të forta shtetasin A. M., 45 vjeç, banues në Shëngjin, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Gjithashtu, në lidhje me këtë konflikt, u referuan materialet procedurale në Prokurori dhe filloi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasit E. M., 41 vjeç (vëllai i shtetasit A. M.), banues në Shëngjin, pasi ka goditur shtetasen E. D., 46 vjeçe, banuese në Tiranë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Plagosja e rëndë me dashje”, në ngarkim të shtetasit A.(P).D., dhe për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, në ngarkim të shtetasit E. M.
Gjatë 48 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 135 shtetas, konkretisht: 3 janë ndaluar, 34 janë arrestuar në flagrancë dhe 98 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 3 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, me 2 autorë të arrestuar dhe 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 15 raste, 4 raste të “Kanosja”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 3 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, 7 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 4 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, me 10 autorë që po procedohen në gjendje të lirë”.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje janë evidentuar 4 raste, me 4 autorë të dyshuar, të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 6 raste, prej tyre 3 raste janë me autorë ende të paidentifikuar, 1 rast me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 raste me nga 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 5 raste të ndërtimit pa leje, me 5 autorë të dyshuar që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve janë evidentuar 3 raste, me 3 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 9 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 2 raste, 1 rast me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 1 rast me 1 autor që po procedohet në gjendje të lirë.
Janë evidentuar 2 raste të shkatërrimit të pronës, me 2 autorë të dyshuar që po procedohen në gjendje të lirë.
Është evidentuar 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësve të policisë”, me 3 autorë të dyshuar të arrestuar në flagrancë, dhe 1 rast i “Kundërshtimi i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një funksion publik”, me 1 autor të dyshuar që po procedohet në gjendje të lirë. Janë proceduar penalisht 2 shtetas të tjerë, për mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të policisë.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 11 raste, me 2 shtetas të arrestuar dhe 9 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 20 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.
Është ndaluar 1 shtetas, për veprën penale “Marrëdhënia seksuale me dhunë me të rritura”, mbetur ne tentativë, si dhe është proceduar penalisht në gjendje të lirë1 shtetas, për veprën penale “Ngacmimi seksual”.
Janë evidentuar 2 raste në fushën e krimeve mjedisore, me 2 autorë të dyshuar që po procedohen në gjendje të lirë.
Është arretuar në flagrancë 1 shtetas, për veprat penale “Kallëzim i rremë” dhe “Sigurimi i mjeteve për vjedhje’.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 5 aksidente, si pasojë e të cilëve janë dëmtuar 4 shtetas dhe kanë humbur jetën 2 të tjerë.
Janë evidentuar 11 raste të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë evidentuar në total 21 raste të veprave penale”Drejtimi i automjeteve në nënyrë të parregullt, me 11 shtetas të arrestuar dhe 10 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.