Finalizohet operacioni policor i koduar “Tranzit 26”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufijve.
Operacioni, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6.
Vihet në pranga 1 shtetas që u kap në flagrancë duke transportuar 6 emigrantë të paligjshëm.
Procedohen penalisht edhe 6 emigrantët, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative se një shtetas transportonte emigrantë, nga Tirana në drejtim të Shkodrës, me qëllim kalimin e tyre në Mal të Zi, me destinacion final vendet e BE-së, organizuan dhe finalizuan operacionin “Tranzit 26”, për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Si rezultat i këtij operacioni u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit E. U., 31 vjeç, banues në Shkodër.
Ky shtetas është kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në afërsi të Casa Italia-s, duke transportuar me një automjet, 6 emigrantë, të cilëve, kundrejt shpërblimit monetar, iu kishte premtuar transportimin nga Tirana në drejtim të Shkodrës, me qëllim kalimin e tyre në Mal të Zi, me destinacion final vendet e BE-së.
Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht 6 emigrantët e paligjshëm, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Në bashkëpunim me Prokurorinë, vijon puna hetimore për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.