Vijon operacioni policor i koduar “Avalon”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e mashtrimit kompjuterik.
Kapet dhe vihet në pranga poseduesi i 16 pajisjeve elektronike që u gjetën në një magazinë, të cilat shërbenin për gjenerimin e kriptomonedhave virtuale, me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Operacioni ka nisur para dy javësh, nga Seksioni për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në DVP Shkodër, në bashkëpunim me Njësinë “C” në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale, në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Gjatë operacionit u arrestua bashkëpunëtori i shtetasit të shpallur në kërkim dhe u procedua në gjendje të lirë punonjësi i OSHEE-së.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomiko-Financiar në DVP Shkodër, në vijim të punës për dokumentimin e aktivitetit kriminal në fushën e mashtrimit kompjuterik, në kuadër të operacionit “Avalon”, bënë kapjen dhe ndalimin e shtetasit të shpallur në kërkim:
J. M., 21 vjeç, banues në lagjen “Salo Halili”, Shkodër.
Për këtë shtetas, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendimin e datës 30.05.2022, ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Mashtrimi kompjuterik”, “Ushtrimi i aktivitetit tregtar të paregjistruar në organet tatimore” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.
Shtetasi J. M. ishte shpallur në kërkim, sepse në datën 27.05.2022, gjatë operacionit policor të koduar “Avalon”, në një magazinë, në lagjen “Salo Halili”, janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 16 pajisje elektronike, të cilat i posedonte ky shtetas dhe dyshohet se shërbenin për gjenerimin në mënyrë të jashtëligjshme të kriptomonedhave virtuale.
Gjatë këtij operacioni është arrestuar në flagrancë shtetasi E. M., 43 vjeç, banues në Shkodër, pasi në bashkëpunim me shtetasin J. M., kryenin veprimtarinë e kundërligjshme të prodhimit të kriptomonedhave virtuale.
Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni u procedua në gjendje të lirë shtetasi F. B., 33 vjeç, banues në Shkodër, me detyrë lexues i aparatit matës, në OSHEE Shkodër, për veprën penale “Shperdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se ky shtetas ka mundësuar furnizimin e pajisjeve që gjenerojnë kriptomonedha virtuale, me lidhje të paligjshme të energjisë elektrike.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprime të mëtejshme.