Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Kavajë/Informacion paraprak-Më datë 07.06.2022, në orën 22:50, në Kavajë, në parkingun e një pallati, automjeti tip “Opel” në pronësi të shtetasit L. M., (punonjës Policie) ka shpërthyer.Paraprakisht dyshohet se ka shpërthyer nga lëndë plasëse.Si pasojë ka vetëm dëme materiale.Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Durrës/Informacion paraprak-Më datë 08.06.2022, rreth orës 04:20, në lagjen nr.13, Durrës, në një ambient (dyqan rrobash) të marrë me qira nga shtetasja A. R., dyshohet se ka shpërthyer një sasi lënde eksplozive.Si pasojë ka vetëm dëme materiale.Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.
Librazhd, Elbasan-Vijojnë kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.Finalizohet operacioni policor antikanabis i koduar “Target”.Operacioni, nga Komisariati i Policisë Librazhd, Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme dhe Forca e Posaçme Operacionale në DVP Elbasan.Goditet një rast i kultivimit të bimëve narkotike, arrestohet në flagrancë autori i dyshuar.Sekuestrohen rreth 7.3 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, bimë dhe fidanë të dyshuar narkotikë.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Librazhd, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve të Paligjshme dhe shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale në Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan, në vijim të kontrolleve të vazhdueshme të territorit për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, bazuar dhe në informacione të siguruara në rrugë operative, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “TARGET”.Si rezultat i këtij operacioni është arrestuar në flagrancë, për veprat penale “Kultivimi i bimëve narktotike” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, shtetasi Th. K., 50 vjeç, banues në fshatin Babje, Librazhd.Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në një sipërfaqe toke të pyllëzuar në afërsi të banesës së këtij shtetasi, gjetën 61 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa të kultivuara në tokë dhe 14 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa të kultivuar në vazo plastike, të cilët u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.Gjithashtu, në vijim të operacionit, gjatë kontrollit të banesës së 50-vjeçarit, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 7.3 kg lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprime të mëtejshme.
Qarku Korçë-Vijon operacioni policor “Perimetri”.Goditet një tjetër rast i aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit.U kapën duke transportuar 11 emigrantë të paligjshëm, vihen në pranga 3 shtetas.Specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve në DVP Korçë, në bashkëpunim me strukturat e Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP) Korçë dhe Policinë Kufitare, në vijim të operacionit policor “Perimetri”, kanë goditur një tjetër rast të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies së ndihmës shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt shpërblimit. Si rezultat u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve A. Xh., 40 vjeç, banues në fshatin Dishnicë, Korçë, A. M., 24 vjeç dhe D. M., 23 vjeç, banues në fshatin Marjan, Korçë.Në bazë të informacioneve të grumbulluara se 3 shtetas do të transportonin emigrantë të paligjshëm, me 2 automjete, shërbimet policore dhe ato të AMP-së, organizuan punën dhe në afërsi të fshatit Burimas, Maliq, kanë ndaluar mjetin tip “Benz” me drejtues shtetasin A. Xh. dhe mjetin tip “Opel” me drejtues shtetasin A. M. dhe pasagjer shtetasin D. M. Në këto automjete ishin pasagjerë 11 emigrantë të paligjshëm, të cilët po transportoheshin në drejtim të Tiranës, kundrejt shpërblimit.Vijon puna për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtyre shtetasve, identifikimin dhe vënien para përgjegjësisë penale të përsonave të tjerë të përfshirë.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim.
Shkodër-Policia Kufitare godet një rast të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit.Arrestohet në flagrancë 1 shtetas.Shërbimet e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Shkodër, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative se një shtetas po transportonte emigrantë të paligjshëm, në drejtim të fshatit Vukpalaj, kanë organizuar punën për lokalizimin dhe kapjen e tij.Gjatë kontrollit të zonës, mbrëmjen e djeshme, punonjësit e Policisë Kufitare kanë konstatuar duke zbritur nga një automjet “Volksëagen”, disa emigrantë të paligjshëm, në fshatin Vukpalaj.Falë ndërhyrjes së shërbimeve të Policisë është bërë e mundur kapja dhe ndalimi i drejtuesit të mjetit, shtetasit A. D.Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasi A. D. po transportonte me automjetin e tij, 8 emigrantë nga vendet e treta, me qëllim që të kalonin kufirin, në mënyrë të paligjshme.Në përfundim të veprimeve, nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Shkodër u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit A. D., 19 vjeç, banues në Ndroq, Tiranë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër.
Fier-Kapet dhe vihet në pranga një shtetas i shpallur në kërkim për kultivim të bimëve narkotike.Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim, kapën dhe ndaluan shtetasin Indrit Koliçi, 35 vjeç, banues në Gjokalli, Fier.Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Gjykata e Shkallës së Parë Fier, me vendimin e datës 01.03 2022, e ka dënuar me 2 vjet burgim, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 1 vit e 3 muaj burgim.Ky shtetas, është arrestuar në flagrancë nga Policia më datë 13.09.2021, pasi kishte mbjellë në oborrin e banesës së tij, bimë narkotike cannabis sativa.
-Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Roskovec arrestuan në flagrancë për veprën penale “Vjedhja”, shtetasin M. K., 61 vjeç, banues në Suk 1, pasi është kapur duke vjedhur në serat e shtetasit E. H. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 95 shtetas, konkretisht: 5 janë ndaluar, 18 janë arrestuar, 61 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 11 shtetas, për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 10 raste, me 3 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar, si dhe me 6 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 11 raste, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, në drejtim të të cilëve vijon puna nga ana e Policisë, ndërsa 9 rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të arrestuar, 6 shtetas të shpallur në kërkim , për lokalizimin dhe kapjen e të cilëve vijon puna nga ana e Policisë dhe me 8 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e armëmbajtjes pa leje është evidentuar 1 rast me 1 shtetas të arrestuar.
Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 5 raste, me 1 shtetas të ndaluar dhe 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e veprave penale me objekt organizimin e lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të arrestuar.
Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 9 raste, prej tyre 4 raste janë me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa 5 rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Ne fushën e veprave penale me objekt trafiqet e paligjshme janë evidentuar 4 raste, me 5 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.
Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 9 raste, 1 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, për të cilët vijon puna nga ana e strukturave policore, ndërsa 8 rastet e tjera rezultojnë me 2 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 10 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Për ngjarjet me objekt zjarrvënien janë evidentuar 3 raste, njëri prej tyre dyshohet të jetë ngjarje aksidentale, dhe në drejtim të saj vijon puna e Policisë, ndërsa 2 rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të ndaluar dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë.
Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 6 raste, me 2 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të ndaluar, 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e Policisë, si dhe me 3 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 7 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i veprës penale “Braktisja e fëmijëve të mitur”, me 1 shtetase të shpallur në kërkim.
Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Përndjekja”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; 2 raste të veprës penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”, me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të ndaluar, si dhe 2 raste të veprës penale “Vetëgjyqësia”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale “Njoftimi i rremë në organet e rendit”, “Moskallëzimi i krimit”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim”, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.
Në të gjithë vendin kanë ndodhur 4 aksidente, si pasojë e të cilëve 5 shtetas janë dëmtuar, pa rrezik për jetën. Janë evidentuar në total 16 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, me 4 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 11 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.