Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 7 qershor 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Tiranë/Informacion shtesë-Në lidhje me lajmin e dhënë ditën e sotme, i cili bën fjalë për një video të postuar në emisionin investigativ “Piranjat”, në të cilën shfaqet një shtetas duke keqtrajtuar një kafshë (qen), ju sqarojmë se: Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4, në bazë të informacioneve të marra, bënë kapjen dhe shoqërimin në ambientet e Policisë, si dhe filloi procedimi në gjendje të lirë, për shtetasin:-M. I., 20 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Keqtrajtimi i kafshës”. Materialet në ngarkim të këtij shtetasi i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Sarandë/Informacion shtesë-Goditi me mjet prerës 43-vjeçarin, i cili ndërroi jetë si pasojë e dëmtimeve të marra, vihet në pranga autori i dyshuar.Në vijim të informacionit paraprak, përmes të cilit njoftuam se, në shëtitoren e Sarandës, gjatë një konflikti për motive të dobëta, shtetasi J. G. goditi me mjet prerës, në kurriz, shtetasin K. K., 43 vjeç, sqarojmë se, si pasojë e plagëve të marra shtetasi K. K. ka ndërruar jetë.Brenda një kohe të shkurtër, shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë kanë bërë të mundur arrestimin e shtetasit J. G.Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar mjeti prerës (thika), me të cilën dyshohet se shtetasi J. G. ka goditur shtetasin K. K.Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.

Vlorë/Informacion paraprak-Shërbimet e Policisë Kufitare u vijnë në ndihmë 4 turistëve italianë, të dëmtuar gjatë një udhëtimi me skaf.Më datë 07.06.2022, rreth orës 05:30, në zonën e quajtur “Hunda e Plakut”, në plazhin e Zvërnecit një mjet lundrues (skaf), me drejtues shtetasin G. V.,  61 vjeç, banues në Pavia, Itali, është përplasur me një shkëmb nënujor. Në mjet ndodheshin shtetasit M. R., 38 vjeç, K. B., 33 vjeçe dhe një i mitur, banues në Pavia, Itali.Shërbimet e Policisë Kufitare sapo janë njoftuar, kanë organizuar punën me qëllim nxjerrjen e shtetasve në breg. Si rezultat i veprimeve të mirëkoordinuara të shërbimeve, është bërë e mundur nxjerrja e 4 shtetasve italianë në breg. Të dëmtuarve u është dhënë ndihma e parë dhe janë në gjendje të mirë shëndetësore.

Sarandë-Zbardhet dhe dokumentohet ngjarja e ndodhur më datë 06.06.2022, në lagjen nr.1, Sarandë, ku është djegur zyra noteriale e shtetasit A. A.Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Flames”.Operacioni, i zhvilluar nga Komisariati i Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Vlorë.Kapet dhe vihet në pranga autori i dyshuar i zjarrvënies në zyrën noteriale. 41-vjeçari, me precedent të mëparshëm kriminal për shkatërrim të pronës me eksploziv dhe për zjarrvënie.Shërbimet e Komisariatit të Policisë Sarandë, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale në DVP Vlorë, në vijim të punës për zbardhjen e ngjarjeve kriminale të ndodhura më parë dhe vënien e autorëve të tyre para përgjegjësisë ligjore, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Flames”, në kuadër të të cilit u vu në pranga shtetasi:- M. S., 41 vjeç, banues në Sarandë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, i dënuar me parë për shkatërrim të pronës me eksploziv dhe për zjarrvënie.Nga veprimet hetimore dyshohet se shtetasi M. S., më datë 06.06.2022, ka vënë zjarr në zyrën noteriale të shtetasit A. A., në qytetin e Sarandës. Për pasojë janë djegur një pjesë e dokumentacionit (arkivës) që mbahej nga shtetasi A. A., në ambientet e zyrës.Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar veshëmbathje dhe sasi benzine që dyshohet se janë përdorur nga 41-vjeçari, gjatë kësaj ngjarjeje.Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Lezhë-Vijojnë kontrollet për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve.Finalizohet operacioni policor antikanabis i koduar “Blinisht”.Goditet një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike, vihet në pranga autori i dyshuar. Sekuestrohen 230 fidanë të dyshuar narkotikë të kutivuar në kubikë. Gjithashtu, gjatë operacionit u godit edhe një rast i prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike. Sekuestrohet një sasi lënde narkotike kanabis, vihet në pranga poseduesi i saj.Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Lezhë, në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Blinisht”.Si rezultat i këtij operacioni është goditur një rast i tentativës për kultivim të bimëve narkotike. Për këtë rast është arrestuar në flagrancë shtetasi A. S., 34 vjeç, banues në Blinisht, Lezhë, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në territorin në afërsi të banesës së tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan 230 fidanë të dyshuar narkotikë cannabis sativa, të cilët ishin kultivuar në kubikë.Gjithashtu, gjatë këtij operacioni u arrestua në flagrancë shtetasi M. L., 24 vjeç, banues në Blinisht, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në magazinën në afërsi të banesës së tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale një sasi lënde të dyshuar narkotike cannabis sativa.Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme.

Tiranë-Vijojnë operacionet për kapjen e personave në kërkim ndërkombëtar.Finalizohet operacioni policor i koduar “Prato”, në kuadër të të cilit u kap një person i shpallur në kërkim ndërkombëtar.Operacioni policor, i zhvilluar nga Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe Interpol Tirana.Vihet në pranga, me qëllim ekstradimi, 1 shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprat penale “Vjedhja e rëndë” dhe “Armbëmbajtja pa leje”.Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për kapjen e personave të shpallur në kërkim ndërkombëtar, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore, bënë kapjen dhe arrestimin provizor, me qëllim ekstradimin drejt Italisë, të shtetasit: Sebastjan Dema, 32 vjeç, banues në Tiranë.Ky shtetas ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Prato, Itali, e ka dënuar me 6 vjet e 7 muaj burgim, për veprat penale “Vjedhja e rëndë” dhe “Armbëmbajtja pa leje”, parashikuar nga Kodi Penal i Italisë.Interpol Tirana, në bashkëpunim me autoritetet ligjzbatuese italiane, vijon procedurat për ekstradimin e këtij shtetasi.

Tiranë-Finalizohet operacioni policor i koduar “Permission”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje.Operacioni, i zhvilluar nga Forca e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2. Qarkullonin me armë zjarri në automjet, vihen në pranga 2 shtetas. Njëri prej tyre kishte shkelur masën “Arrest në shtëpi”.Sekuestrohen një armë zjarri pistoletë, një krehër dhe municion luftarak. Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 2, në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e armëmbajtjes pa leje, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative, se në rrugën “Hasan Alla”, po lëvizte një shtetas i armatosur, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Permission”.Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:- A. A., 21 vjeç, banues në Fier, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”; -A. B., 21 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.Gjatë kontrollit të mjetit me të cilin po qarkullonin këta shtetas, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, një armë zjarri pistoletë, një krehër dhe municion luftarak.Gjatë verifikimeve ka rezultuar se shtetasi A. A. kishte shkelur masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”, duke dalë jashtë banesës.Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme procedurale.

Fier-I vuri zjarrin një sipërfaqeje toke me ullinj, procedohet penalisht 66-vjeçari.Në vijim të punës hetimore për zbulimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve të zjarrvënieve të qëllimshme apo nga pakujdesia, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Fier referuan materialet në Prokurori dhe nisi procedimi penal në gjendje të lirë për shtetasin M. K., 66 vjeç, banues në Patos Fshat, pasi në vendin e quajtur “Shkëmbi i Çoçit”, ka ndezur zjarr për djegien e barërave në tokën e tij dhe si pasojë e përhapjes së flakëve është djegur një sipërfaqe toke rreth 2 dynym, me pemë ulliri.Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.Drejtoria Vendore e Policisë Fier apelon për të gjithë banorët, që në asnjë rast mos shkaktojnë zjarrvënie, sepse do të përballen me ligjin. Policia fton qytetarët që të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të zjarrvënies apo të paligjshmërisë në tërësi, duke iu garantuar anonimatin dhe reagim të shpejtë e të paanshëm nga strukturat policore.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 99 shtetas, konkretisht: 3 janë ndaluar, 15 janë arrestuar, 76 janë proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 5 shtetas, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 6 raste, me 4 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e Policisë, si dhe me 1 tjetër të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 9 raste, njëri prej tyre mbetur në tentativë, me 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e Policisë, ndërsa 8 rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas tjetër të shpallur në kërkim dhe me 15 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimit ekonomik janë evidentuar 5 raste, njëri prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, për të cilin vijon puna nga ana e strukturave policore, ndërsa 4 rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe 4 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt organizimin e lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin është evidentuar 1 rast, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e veprave penale me objekt vjedhjen e pasurisë janë evidentuar 7 raste, prej tyre 5 raste janë me autorë ende të paidentifikuar, ndërsa 2 rastet e tjera kanë mbetur në tentativë, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Ne fushën e veprave penale me objekt trafiqet e paligjshme janë evidentuar 2 raste, me 2 shtetas të ndaluar.

Në fushën e krimit mjedisor dhe veprave penale me objekt shkatërrimin e pronës me mjete të ndryshme, janë evidentuar 8 raste, 2 prej tyre me autorë ende të paidentifikuar, për të cilët vijon puna nga ana e strukturave policore, ndërsa 6 rastet e tjera rezultojnë me 6 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Për ngjarjet me objekt zjarrvënien janë evidentuar 3 raste, njëri prej tyre me autorë të paidentifikuar, në drejtim të të cilit vijon puna e Policisë, ndërsa 2 rastet e tjera rezultojnë me 1 shtetas të arrestuar dhe 1 tjetër të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Për veprën penale “Dhuna në familje” janë evidentuar 6 raste, me 3 shtetas të arrestuar, 1 shtetas të shpallur në kërkim dhe me 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 15 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Është evidentuar nga 1 rast i veprës penale “Përndjekja”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; 2 raste të veprës penale “Fyerja”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, si dhe 2 raste të veprës penale “Përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike”, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 4 raste të veprave penale në fushën e mosbindjes/kundërshtimit ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik, me 1 shtetas të arrestuar dhe me 3 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Është evidentuar nga 1 rast i veprave penale: “Kallëzimi i rremë”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; “Largimi i të burgosurit nga vendi i qendrimit”, me 1 shtetas të arrestuar; “Keqtrajtimi i kafshës”, me 1 shtetas të shpallur në kërkim, për lokalizimin dhe kapjen e të cilit vijon puna nga ana e Policisë dhe “Shkatërrimi i rrjetit të ujësjellësit”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 6 aksidente, si pasojë e të cilëve 10 shtetas janë dëmtuar, pa rrezik për jetën. Janë evidentuar në total 20 raste të veprave penale në fushën e qarkullimit rrugor, me 5 shtetas të arrestuar dhe me 15 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.