Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 24 mars 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Elbasan – Finalizohet operacioni policor i koduar “GRIQAN 2022”.Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale pranë DVP Elbasan, për parandalimin dhe goditjen e kultivimit të bimëve narkotike. Sekuestrohen 44.380 fara të dyshuara kanabis, municion luftarak dhe sende të tjera të dyshuara që do të shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike.Vihet në pranga poseduesi i tyre. Në pranga edhe një shtetas tjetër, për moskallëzim krimi. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, nga ana e specialistëve të Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve pranë DVP Elbasan, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale pranë DVP Elbasan, u finalizua operacioni policor i koduar “GRIQAN 2022”. Si rezultat i këtij operacioni u arrestua në flagrancë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, shtetasi B. M., 20 vjeç, banues në fshatin Griqan, Elbasan. Gjithashtu u procedua penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”, shtetasi F. K., 20 vjeç, banues në fshatin Griqan, Elbasan . Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme Operacionale pranë DVP Elbasan, kishin marrë  informacione në rrugë operative se shtetasi B. M. ushtronte aktivitetin kriminal të kultivimit te bimëve narkotike dhe shitjes së farave bimore narkotike, në qytetin e Elbasanit. Bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, në lagjen ”28 Nëntori”, është ushtruar kontroll fizik ndaj këtij shtetasi, të cilit i është gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi farash bimore të dyshuara narkotike, të llojit cannabis sativa. Në vijim të kontrollit, në banesën e këtij shtetasi janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi farash të dyshuara narkotike, të llojit cannabis sativa, një sasi farash të kultivuara në gota plastike dhe municion luftarak. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan në total 44.380 fara të dyshuara kanabis, municion luftarak dhe sende të tjera të dyshuara që do të shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike. Materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.

Kurbin – Goditet një tjetër rast i kultivimit të bimëve narkotike me anë të llambave. Finalizohet me sukses nga Komisariati i Policisë Kurbin, në bashkëpunim me DVP Lezhë, operacioni policor antikanabis i koduar “Trinomi”. Policia zbulon katin e parë të një banese, të përshtatur si laborator që shërbente për kultivimin e bimëve narkotike, nëpërmjet ngrohjes me llamba, si dhe një sasi lënde narkotike. Gjithashtu, në këtë banesë evidentohet lidhje e paligjshme e energjisë elektrike, si dhe ndërtimi pa leje i një dhome shtesë. Sekuestrohen lëndë narkotike dhe bimë narkotike të kultivuara në vazo, pajisje të ndryshme elektrike dhe sende të tjera që shërbenin për kultivimin e bimëve narkotike. Vihen në pranga 2 shtetas, njëri prej tyre me detyrë elektricist pranë OSHEE Kurbin, si dhe shpallet në kërkim një shtetas tjetër. Nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin, në bashkëpunim me ato të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë, në vijim të kontrolleve të pandërprera për parandalimin e kultivimit të bimëve narkotike, prodhimit dhe shitjes së tyre, pas informacioneve të siguruara në rrugë policore, u bë i mundur finalizimi me sukses i operacionit policor  të koduar “Trinomi”. Gjatë operacionit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit: D. G., 28 vjeç, banues në Kurbin, si dhe u bë shpallja në kërkim e shtetasit Y. P., 24 vjeç, banues në Burrel, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Kultivimi i bimëve narkotike”, “Ndërtimi i paligjshëm” dhe “Vjedhja e energjisë elektrike”.Këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në Fushë Milot, Kurbin, kishin përshtatur katin e parë të banesës së shtetasit Y. P., me aparatura që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike. Gjatë kontrolllit në banesë u konstatua se këta shtetas kishin bërë lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, si dhe kishin ndërtuar një dhomë shtesë, pa leje. Gjithashtu është arrestuar në flagrancë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, shtetasi Xh. N., 53 vjeç, banues në Milot, Kurbin, me detyrë faturist pranë OSHEE Kurbin, pasi dyshohet se ka lejuar lidhje të paligjshme të energjisë elektrike, që furnizonte ndërtesën e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike.Gjatë kontrollit në këtë ambient u gjetën dhe u sekuestruan 271 bimë të dyshuara narkotike cannabis sativa të kultivuara në vazo, 2 kilogramë e 500 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, pajisje elektrike, llamba elektrike termale, lëndë ushqyese për kultivimin e bimëve narkotike etj. Nën drejtimin e Prokurorisë Kurbin, vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Kurbin, për veprime të mëtejshme.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 106 shtetas, konkretisht: 4 janë ndaluar, 18 janë arrestuar në flagrancë, 81 po procedohen në gjendje të lirë, si dhe janë shpallur në kërkim 3 shtetas, për vepra të ndryshme penale. Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 5 raste, 2 prej tyre me 2 shtetas të arrestuar në flagrancë dhe 3 të tjerë me 3 subjekte të proceduar në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve kundër personit janë evidentuar 7 raste: 4 raste të “Kanosja”, në qarqet Durrës dhe Vlorë; 1 rast i veprës penale “Plagosja e lehtë me dashje”, me 1 shtetas të proceduar në gjendje të lirë; 2 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, njëri prej tyre i realizuar në bashkëpunim në qarkun Shkodër dhe rasti tjetër i evidentuar në qarkun Dibër.

Në qarkun Tiranë, është proceduar penalisht në gjendje të lirë 1 shtetas, për veprën penale “Ndërhyrje të padrejta në jetën private”. Gjithashtu, 1 shtetas tjetër, po në këtë qark, është proceduar penalisht në gjendje të lirë për veprën penale “Ngacmimi seksual”.

Për veprën penale “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” janë proceduar penalisht 2 shtetas, në qarqet Tiranë dhe Durrës, ndërsa për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, në qarkun Elbasan.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”, me 2 shtetas të proceduar penalisht në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Shpërdorimi i detyrës”, si dhe 1 rast në qarkun Tiranë, për veprën penale “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.

Janë evidentuar 7 raste të dhunës në familje, me 1 shtetas të arrestuar në flagrance dhe 6 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë, si dhe janë plotësuar 12 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në qarkun Tiranë është proceduar 1 shtetas për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.

Për veprën penale “Veprime në kundërshtim me vendimin e gjykatës” është evidentuar 1 rast me autor të dyshuar, të proceduar penalisht në gjendje të lirë, në qarkun Berat. Gjithashtu, 1 shtetas është proceduar penalisht në gjendje të lirë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Është evidentuar një rast për veprën penale “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin”, me 1 shtetas të arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”, në qarkun Korçë. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast, në qarkun Durrës, për veprën penale “Ndotja e ajrit, ujërave dhe e tokës”.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 7 raste, me 2 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, 2 të tjerë të shpallur në kërkim, 1 shtetas të arrestuar në flagrancë, 1 të ndaluar, si dhe njëri prej rasteve i mbetur në tentative, për të cilin autori është proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu janë evidentuar edhe 7 raste me autorë të paidentifikuar, për të cilët vijon puna nga ana e strukturave policore.

Për veprën penale “Vjedhja e energjisë elektrike” janë evidentuar 4 raste, me 2 shtetas të arrestuar në flagrancë dhe 2 të tjerë të proceduar në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Mashtrimi”, njëri prej tyre me autorë të paidentifikuar dhe për zbardhjen e së cilit po punohet intensivisht nga strukturat policore.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Falsifikimi i dokumenteve”, me autorë të dyshuar, të proceduar në gjendje të lirë. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast i veprës penale “Falsifikimi kompjuterik”, për zbardhjen dhe identifikimin e autorëve të të cilit po punohet ende nga strukturat policore.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Ndërtimi i paligjshëm”, 3 raste në Tiranë, 1 në Durrës dhe 1 në Lezhë, me një shtetas të arrestuar në flagrancë.

Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, si dhe janë proceduar penalisht 4 të tjerë, për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”, si dhe janë evidentuar 4 raste, për veprën penale “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.

Janë evidentuar 2 raste për veprën penale “Shkatërrimi i pronës nga pakujdesia”, në qarqet Tiranë dhe Vlorë, me 2 autorë të proceduar në gjendje të lirë, 5 raste të veprës penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”, prej të cilëve, 2 raste në Vlorë dhe nga 1 rast në qarqet Korçë, Shkodër dhe Dibër. Është evidentuar 1 rast, në qarkun Dibër, për veprën penale “Shkatërrimi nga pakujdesia me zjarr i pyjeve dhe mjedisit pyjor”. Në qarkun Durrës janë evidentuar 2 raste të veprës penale “Pushtimi i tokës” dhe 1 rast i veprës penale “Shpërdorimi i tokës”.

Janë evidentuar 3 raste të veprës penale “Kalimi i kufirit në mënyrë të paligjshme, 2 prej të cilëve në qarkun Gjirokastër dhe 1 në qarkun Kukës. Gjithashtu, është evidentuar 1 rast, me 4 shtetas të proceduar në gjendje të lirë, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, në qarkun Korçë.

Në qarkun Kukës është evidentuar një rast, me 1 shtetas të arrestuar në flagrancë, për veprat penale “Kontrabanda me mallra të tjera” dhe “Tregtimi dhe transportimi i mallrave që janë kontrabandë.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 10 aksidente, si pasojë e të cilëve janë shënuar 2 viktima, 2 shtetas të tjerë marrin asistencë mjekësore, në gjendje të rëndë për jetën. Për këto aksidente, 2 autorë të dyshuar janë arrestuar në flagrancë dhe 1 rast rezulton me autor të paidentifikuar, për zbulimin e të cilit strukturat policore po punojnë intensivisht. Gjithashtu, është proceduar penalisht në gjendje të lirë 1 shtetas, për veprën penale “Largimi nga vendi i aksidentit”.

Janë evidentuar në total 9 raste të veprës penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, me 5 shtetas të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë të dyshuar, të proceduar në gjendje të lire.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.