Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.
Kuçovë – Goditet 1 rast i aktivitetit të kundërligjshëm në fushën e lojrave të fatit. Procedohen penalisht 2 shtetas. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kuçovë konstatuan 1 rast të ushtrimit të aktivitetit të paligjshëm të lojërave të fatit online. Në përfundim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Kuçovë proceduan penalisht shtetasit I.B., 47 vjeç dhe A. M., 54 vjeç, të dy banues në Kuçovë, pasi gjatë kontrollit në ambjentet e lokalit të shtetasi I.B., u konstatua duke ushtruar aktivitetin e lojrave të fatit, lloto sporti online shtetasi A. M. Gjithashtu po nga specialistët e Seksionit për Krimet u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit O.B., 35 vjeç, pasi gjatë natës dyshohet se ka vjedhur në dyqanin e shtetasit A. M., në lagjen “1 Maj”, Kuçovë, disa ushqime dhe një sasi lekësh. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Berat, për veprime të mëtejshme.
DVP Vlorë/Arrestohen në flagrancë 2 shtetas dhe procedohen penalisht 6 shtetas të tjerë, për vepra të ndryshme penale. Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Dhuna në familje”, shtetasin V. Xh., 52 vjeç, banues në lagjen nr.3, Sarandë, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij. Po nga specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë u procedua penalisht për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, shtetasi S. K., 52 vjeç, banues në lagjen nr.2, Sarandë, pasi u konstatua duke kryer punime në pallatin në pronësi të tij, pa lejen e organeve kompetente. Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë u proceduan penalisht për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, shtetasit M. L., 16 vjeç dhe L. H., 17 vjeç, pasi në lagjen “Pavarësia 2”, kanë qëlluar me pistoletë sportive me fishekë manovër. Po nga këto shërbime u procedua penalisht për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, shtetasi D. M., 47 vjeç, banues në lagjen “28 Nëntori” Vlorë, pasi ka goditur për motive të dobëta, shtetasin A. D. Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Delvinë proceduan penalisht për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, shtetasit M. Th., 18 vjeç dhe M. M., 18 vjeç, banues ne Delvinë, pasi kanë goditur me grushte, për motive të dobëta, shtetasin H. H., 18 vjeç. Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, shtetasin F. R., 66 vjeç, banues në Vlorë, pasi u konstatua duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi. Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Dibër – Goditet një tjetër rast i shpërndarjes së drogave të forta në doza. Vihen në pranga dy shtetas. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, në bazë dhe të informacioneve të marra në rrugë policore se dy shtetas që qarkullojnë me një automjet tip ‘Fiat’, shpërndajnë lëndë narkotike, forcat e Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve kanë bërë të mundur lokalizimin dhe ndalimin e mjetit të dyshuar, me të cilin udhëtonin dy shtetas. Gjatë kontrollit të ushtruar në automjet u gjet një sasi lëndë narkotike kokainë e ndarë në doza gati për shitje, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale së bashku me automjetin. Në përfundim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Dibër, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasve B. K., 26 vjeç, dhe E. D., 24 vjeç, banues në Peshkopi. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Dibër për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Gjatë 72 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 219 shtetas, konkretisht: 14 janë ndaluar, 68 janë arrestuar në flagrancë dhe 137 po procedohen në gjendje të lirë.
Janë ndaluar 10 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.
Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 15 raste, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 15 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Në fushën e krimeve kundër personit, në gjithë territorin, gjatë 72 orëve të fundit janë evidentuar 17 raste, konkretisht: 5 raste të “Kanosja”; 6 raste të “Plagosja e lehtë me dashje” dhe 5 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Plagosja e rëndë me dashje”, ku autori është arrestuar në flagrancë.
Janë evidentuar 19 raste të dhunës në familje, në të gjithë vendin, me 14 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 5 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 25 kërkesë-padi për urdhër mbrojtje të menjëhershme.
Në fushën e vjedhjes së pronës gjatë 72 orëve janë evidentuar 18 raste, 5 raste me 2 autorë të ndaluar/arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, si dhe 13 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.
Janë evidentuar 17 raste të ndërtimit pa leje, në të gjithë vendin, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 17 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.
Janë proceduar penalisht 10 shtetas, për shkatërrim prone, dhe 1 tjetër për shkatërrim prone me zjarr.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për vjedhje të energjisë elektrike.
Janë proceduar penalisht 6 shtetas dhe është arrestuar në flagrancë 1 tjetër, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë”.
Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas dhe janë proceduar penalisht 4 të tjerë, për korrupsion aktiv ndaj punonjësve të policisë .
Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas për “Mbajtja pa leje e armëve të zjarrit” dhe janë proceduar penalisht 3 shtetas të tjerë, për mbajtje pa leje të armëve të ftohta.
Janë arrestuar në flagrancë 2 shtetas, për verpën penale “Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.
Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Trafikimi i mjeteve motorike”.
Janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas dhe janë proceduar penalisht 4 të tjerë, për veprën penale “Organizimi i lotarive të palejuara”.
Janë proceduar penalisht 3 shtetas për veprën penale “Fshehja e të ardhurave” dhe 4 të tjerë për “Falsifikimi i dokumenteve”.
Janë proceduar penalisht 2 për veprën penale “Mashtrimi” dhe 1 për “Vetëgjyqësia”.
Është arrestuar në flagrancë 1 shtetas, për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.
Janë proceduar penalisht 6 shtetas, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Janë proceduar penalisht 9 shtetas, për kalim të paligjshëm të kufirit.
Janë arrestuar në flagrancë 24 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.
Janë proceduar penalisht 9 shtetas dhe janë arrestuar në flagrancë 2 të tjerë, për “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor.
Janë arrestuar në flagrancë 2 drejtues mjetesh dhe janë proceduar penalisht 9 të tjerë, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.
Gjatë 72 orëve të fundit, në territorin e Shqipërisë, kanë ndodhur 8 aksidente, me 10 persona të lënduar jashtë rrezikut për jetën.
Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.