Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Dhuna në familje”, shtetasin V. Xh., 52 vjeç, banues në lagjen nr.3, Sarandë, pasi ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj bashkëshortes së tij.
Po nga specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë u procedua penalisht për veprën penale “Ndërtimi i paligjshëm”, shtetasi S. K., 52 vjeç, banues në lagjen nr.2, Sarandë, pasi u konstatua duke kryer punime në pallatin në pronësi të tij, pa lejen e organeve kompetente.
Nga specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Vlorë u proceduan penalisht për veprat penale “Prishja e qetësisë publike” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”, shtetasit M. L., 16 vjeç dhe L. H., 17 vjeç, pasi në lagjen “Pavarësia 2”, kanë qëlluar me pistoletë sportive me fishekë manovër.
Po nga këto shërbime u procedua penalisht për veprën penale “Plagosja e lehtë me dashje”, shtetasi D. M., 47 vjeç, banues në lagjen “28 Nëntori” Vlorë, pasi ka goditur për motive të dobëta, shtetasin A. D.
Specialistët e Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Delvinë proceduan penalisht për veprën penale “Dëmtime të tjera me dashje”, shtetasit M. Th., 18 vjeç dhe M. M., 18 vjeç, banues ne Delvinë, pasi kanë goditur me grushte, për motive të dobëta, shtetasin H. H., 18 vjeç.
Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Komisariatin e Policisë Vlorë arrestuan në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, shtetasin F. R., 66 vjeç, banues në Vlorë, pasi u konstatua duke drejtuar motomjetin, pa leje drejtimi.
Materialet i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.