Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit znj. Gentiana Sula dhe Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano, në praninë e përfaqësuesve të institucioneve publike dhe ndërkombëtare, nënshkruan një marrëveshje bashkëpunimi për garantimin e realizimit të një procesi të rregullt ligjor të identifikimit dhe rikuperimit të trupave të atyre që u zhdukën ose u ekzekutuan gjatë regjimit komunist në Shqipëri.
Objekt i kësaj marrëveshjeje është bashkërendimi i veprimtarisë së dy institucioneve dhe forcimi i bashkëpunimit për të garantuar proces të rregullt ligjor të identifikimit dhe rikuperimit të trupave të atyre që u zhdukën ose u ekzekutuan gjatë periudhës së komunizmit, duke marrë parasysh që krimi i zhdukjes me forcë është krim kundër njerëzimit, që shkel një sërë të drejtash të njeriut dhe shkakton viktima të shumëfishta, jo vetëm personat e zhdukur, por edhe familjarët e tyre apo persona të tjerë që kanë vuajtur drejtpërdrejt pasojat e krimit.
Marrëveshja me Policinë e Shtetit është e para që nënshkruhet në mbështetje të këtij ligji dhe do të pasohet nga marrëveshje me institucione të tjera të përfshira në proces, për të bashkërenduar punën me autoritetet përgjegjëse dhe mënyrën e mbrojtjes e të ruajtjes së vendvarrimeve të identifikuara ose të dyshuara, pas miratimit të VKM-së përkatëse.
Fjala e plotë e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano
E nderuar Kryetare znj. Sula,
I nderuar zoti Miraka, anëtar i Autoritetit,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare,
Të nderuar drejtues të Policisë së Shtetit dhe të Autoritetit,
Më lejoni që në këtë ditë të nënshkrimit të Marrëveshjes së Bashkëpunimit midis Policisë së Shtetit dhe Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, të shpreh edhe njëherë gatishmërinë e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit, për një bashkëpunim të vazhdueshëm me Autoritetin për Informim.
Sikurse dihet, ky institucion është krijuar më 2015, por me ndryshimet e ligjit “Për të drejtën e informimit për dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të RPSSH-së” (ligji nr. 114/2020), Autoritetit iu shtua dhe funksioni i bashkëpunimit me institucionet shtetërore qendrore dhe vendore për procesin e identifikimit dhe rikuperimit të trupave të atyre që u zhdukën ose u ekzekutuan gjatë komunizmit, si dhe për marrjen e masave për të mbrojtur dhe ruajtur në mënyrën më të përshtatshme vendet që janë aktualisht apo do të identifikohen si vendvarrime.
Veprimtaria e Policisë së Shtetit është e fokusuar në parandalimin, zbulimin dhe hetimin e veprave kriminale. Për këtë arsye, ajo është e përfshirë që në fillim të procesit të gjetjes së trupit të një të zhdukuri, si në rastin e marrjes së kallëzimit apo vënies në dijeni nga familjarët e viktimave apo dhe në rastin e zbulimit të vendndodhjes së trupit të të zhdukurit, për të ndërmarrë veprimet e duhura hetimore në zbatim të funksioneve të saj, parashikuar në ligjin për Policinë e Shtetit, si dhe në Kodin e Procedurës Penale.
Detyrimi i Policisë së Shtetit për të bashkëpunuar në këtë proces buron edhe nga ligji nr. 83/2018 “Për ratifikimin e marrëveshjes së bashkëpunimit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur (ICMP)”, ku Policia e Shtetit, cilësohet si një nga institucionet kryesore për t’u angazhuar në zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
Jam i informuar nga kolegët që kanë mbajtur këtë bashkëpunim, se nga Autoriteti janë kryer mjaft aktivitete si takime, ekspozita, është prodhuar udhëzuesi për familjarët e të zhdukurve në komunizëm, vizita sudimore, seminare dhe konferenca edhe me institucione të tjera ndërkombëtare si ato të BE-së, OSCE-së, ambasada zviceriane, Instituti i Kujtesës në Poloni etj, në të cilat nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit kanë marrë pjesë drejtues të strukturave të saj, në kuadër të projektit ICMP-AIDSSH “Rritja e ndërgjegjësimit të publikut për drejtësinë tranzicionale dhe të pajtimit: të zhdukurit në komunizëm”, të mbështetur nga BE-ja, për të ardhur deri në këtë moment ku jemi sot.
Qëllimi i kësaj marrëveshje është mbrojtja e të drejtave të anëtarëve të familjeve të personave të zhdukur gjatë periudhës komuniste në Shqipëri midis viteve 1944-1991, duke u siguruar vendodhjen e të zhdukurve dhe rrethanat e zhdukjes së tyre pas hetimit në mënyrë efektive, si dhe një sërë çështje të tjera për të shkuar drejt së vërtetës, për të cilat Policia e Shtetit ka dhe do të plotësojë çdo detyrim.
Në përfundim, theksoj se Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, referuar nenit 2 të Ligjit 108/2014 “Për Policinë e Shtetit”, i ndryshuar, ku përcaktohet misioni i saj, duke vlerësuar kapacitetet aktuale të strukturave të Policisë së Shtetit, nëpërmjet strukturave qendrore dhe vendore të saj, do të vendosë në dispozicion të ekipit që do të merret me procesin e gjetjes dhe zhvarrimeve, specialistë të policisë shkencore, specialistë për hetimin e krimit, ndihmësspecialistë të policimit në komunitet, si dhe shërbimin e patrullës së përgjithshme, të cilat do të garantojnë rendin dhe sigurinë gjatë këtij procesi.
Shpresëplotë se bashkëpunimi shumë i mirë me AIDSSH, ICMC, institucionet e tjera vendase dhe ndërkombëtare, do të maksimalizojnë kontributet e të gjithë aktorëve, me qëllim që së bashku të kontribuojmë për këtë çështje kaq të rëndësishme.
Faleminderit!