Posedonte armë zjarri në banesën e tij, vihet në pranga 1 shtetas.
Sekuestrohet një armë zjarri automatik, tre karikatorë automatiku, një kapsollë detonatore dhe municion luftarak pa leje.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të armëmbajtjes pa leje, kontrolleve të shtuara për rritjen e parametrave të sigurisë, si edhe në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë policore se një shtetas posedonte armë zjarri pa leje, organizuan shërbimet, lokalizuan personin dhe ushtruan kontroll në banesën e tij, në fshatin Buzaishtë, Pogradec, ku gjetën e sekuestruan në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik, tre krehëra fishekësh, një kapsollë detonatore dhe një sasi municioni luftarak, të cilat i posedonte pa leje.
Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Pogradec, bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit H. K., 42 vjeç, banues në Buzaishtë.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Pogradec, për veprime të mëtejshme.