📌Në Korçë u zhvillua dje, analiza vjetore e punës së strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë.
Në analizë morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano, Drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale Drejtues i Lartë Tonin Vocaj, Drejtori i Departamentit të Kufirit dhe Migracionit Drejtues i Lartë Eduart Merkaj, Shefi i Kabinetit të Drejtorit të Përgjithshëm Drejtues i Parë Kastriot Skënderaj, prokurori i Rrethit Gjyqësor Korçë z. Ilia Bano, Drejtori i SHISH z. Altin Zhilla dhe përfaqësues të institucioneve të tjera.
Gjatë fjalës së tij, Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë Drejtues i Parë Gjovalin Loka, ka analizuar objektivat e arritura nga çdo Sektor dhe Komisariat në varësi dhe masat që duhet të merren në vazhdimësi, për përmirësimin e parametrave të rendit dhe të sigurisë publike në nivel qarku. Në rezultatet e punës së strukturave policore gjatë vitit 2021, vlen të theksohet finalizimi i 19 operacioneve policore, nga të cilët operacioni policor i koduar “Perimetri”, për goditjen e aktivitetit kriminal të dhënies së ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve, i cili është zhvilluar në 73 faza; operacioni “Restart” i zhvilluar në 3 faza dhe operacioni “Udënishti” i zhvilluar në 2 faza, si edhe 14 operacione të tjera që kanë goditur aktivitete të ndryshme kriminale. Përsa i takon veprave të rënda penale, kundër personit evidentohet vetëm 1 vrasje, e cila është ngjarje e zbuluar. Në drejtim të veprave penale kundër pasurisë, theksojmë rënien e numrit të vjedhjeve me 126 raste më pak se viti i kaluar. Në drejtim të armëmbajtjes pa leje, janë goditur 12 raste, në rang qarku. Përsa i takon Policisë Rrugore, vihet re një rënie e numrit të aksidenteve rrugore në 58 ngjarje rrugore për vitin 2021. Krahasuar me një vit më parë, numërohen 18 aksidente më pak.
Gjithashtu, në këtë takim e morën fjalën edhe Prokurori i Rrethit Gjyqësor Korçë, si edhe Drejtori i SHISH, të cilët vlerësuan bashkëpunimin me të gjitha strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë dhe Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë.
Më pas, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit ka shprehur vlerësim për rezultatet e arritura deri tani nga strukturat policore që operojnë në qarkun Korçë, duke theksuar se modeli i operacionit policor “Perimetri”, i zhvilluar në 73 faza, është një shembull i mirë i angazhimit të punës së strukturave policore dhe duke qenë se Korça është qark kufitar, kërkoi më shumë angazhim në drejtim të parandalimit të kalimit të paligjshëm të kufijve, kontrabandimit të mallrave, trafikimit të drogave të forta me destinacion shtetet fqinje dhe të gjithë krimeve të tjera ndërkufitare.