Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 16 Gusht 2019

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Shëngjin, Lezhë – Vijon operacioni “Plazh i lirë”. Lirohen rreth 2800 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme. Sekuestrohen 542 shezlongë dhe 271 çadra të vendosura në mënyrë të paligjshme, në hapësirat publike. Procedohen 7 përfaqësues ligjor subjektesh për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave”. Gjithashtu, janë referuar materiale hetimore shtesë për shtetasin A.N. me detyrë ish – Drejtor i Taksave dhe Tarifave Vendore pranë Bashkisë Lezhë, i proceduar dhe më parë, pasi ka lejuar këto subjekte të ushtronin aktivitetet në mënyrë të kundërligjshme. Në zbatim të detyrave të përcaktuara në planin e posaçëm të masave “Për parandalimin, evidentimin dhe ndëshkimin e informalitetit, evazionit fiskal në turizëm, ndërtim, hidrokarbure, mallra të akcizës dhe krimeve të tjera mjedisore”, shërbimet policore të Komisariatit të Policisë Lezhë në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Lezhë, kanë ushtruar kontrolle në subjekte që ushtrojnë aktivitet biznesi, në zonën e bregdetit në plazh në Kune, Shëngjin. Si rezultat, janë konstatuar 7 subjekte që ushtronin aktivitet të kundërligjshëm në shfrytëzimin e hapësirës publike (rërës), pa paguar detyrimet financiare, si dhe pa u pajisur me kontratë qiraje për përdorim nga Bashkia Lezhë. Në përfundim të veprimeve hetimore, janë proceduar penalisht shtetasit G.F., F.K, M.N., E.Ll., Gj.J., E.C. dhe P.Z. për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagim i taksave”. Operacioni po vijon çdo ditë, me shtrirje në të gjithë zonat bregdetare, në territorin e Qarkut Lezhë.

 

Tiranë – Vijojnë goditjet e njëpasnjëshme ndaj veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike në doza të vogla. Finalizohet operacioni “Muzgu”. Sekuestrohen 463 gr. lëndë narkotike Cannabis Sativa, e ndarë në doza gati për shitje. Në pranga poseduesi, njëkohësisht edhe shpërndarësi i lëndës narkotike. Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, në bashkëpunim me Sektorin e Forcës së Posaçme Operacionale, në bazë të informacioneve të siguruara në rrugë operative nga burime të ndryshme, finalizoi me sukses operacionin e koduar “Muzgu”, gjatë të cilit u bë i mundur arrestimi në flagrancë i shtetasit L. S., 19 vjeç, lindur në Tiranë. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë, kishin marrë informacione në rrugë operative se shtetasi L. S., në qytetin e Tiranës, kryesisht në rrugën “Dhimitër Shuteriqi”, i shiste lëndë narkotike kryesisht Cannabis Sativa, personave të ndryshëm, përdorues të lëndëve narkotike. Mbi bazën e këtyre informacioneve u zhvillua operacioni “Muzgu”, duke u finalizuar me kapjen në flagrancë të shteasit L.S., të cilit në momentin e kapjes iu gjetën një sasi dozash lënde narkotike Canabis Sativa, e gatshme për ta hedhur në treg. Gjatë kontrollit në banesë, policia ka gjetur edhe një sasi tjetër dozash me lëndë narkotike, gjithësej 463 doza me lëndë narkotike Cannabis Sativa, të futura në qese farmaceutike. Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

 

Kamzë, Tiranë – Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 Kamëz, parandalojnë një ngjarje të rëndë kriminale brënda familjes. Marrja në kohë e informacionit, si dhe ndërhyrja me profesionalizëm e forcave të Policisë të Komisariatit Nr. 5, parandaloi përshkallëzimin e një konflikti mes një çifti bashkëshortësh. Arrestohet në flagrancë një shtetas, si dhe bllokohet në cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik me qytë druri, 2 karikatorë dhe 96 fishekë, të cilat u gjetën gjatë kontrollit në banesë. Shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 5 Tiranë, pas marrjes së informacionit se në Bathore, Kamëz po ndodhte një konflikt i ashpër midis dy bashkëshortëve, organizuan menjëherë punën dhe me veprimet e shpejta dhe profesionale bënë të mundur parandalimin e mëtejshëm të këtij konflikti duke arrestuar në flagrancë shtetasin R. S., 60 vjeç, banues në Bathore, Kamëz. Gjithashtu falë veprimeve të shpejta është bërë i mundur edhe bllokimi i armës së zjarrit automatik me dy karikatore me fishekë, me të cilën ky shtetas dyshohet se do kryente krim në familje, si dhe 96 fishekë. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, dhe “Dhuna në familje” në ngarkim të shtetasit R. S.

 

Fier – Vijon puna për evidentimin e aseteve dhe llogarive bankare të personave të dyshuar për veprimtari kriminale. Sekuestrohen 120.000 euro, që dyshohet se janë përfituar nga veprimtari kriminale. Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier, kanë vendosur sekuestro preventive mbi llogarinë bankare më vlerën 120.000 euro., të shtetasit T.B. Shtetasi T.B., dyshohet për kryerjen e veprës penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për veprime të mëtejshme.

 

Shijak – Policia e Shijakut zbardh dhe dokumenton ngjarjen e ndodhur dy ditë më parë duke shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të konfliktit, identifikuar dhe kapur autorët e dyshuar, të cilët kanosën me armë zjarri 4 shtetas në ambientet e një lokali. Specialistët për Krimet në Komisariatin e Policisë Shijak në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës, pas një pune hetimore kanë bërë të mundur zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur më datë 13.08.2019, identifikimin dhe kapjen e autorëve, të cilët kanosën me armë zjarri 4 shtetas. Janë ndaluar me iniciativë shtetasit J.Gj., 21 vjeç dhe E.B., 22 vjeç, të dy banues në Pjezë, Shijak. Shtetasit e ndaluar, më datë 13.08.2019, në një lokal në Gjepalaj, pas një konflikti për motive të dobëta me shtetasit E.A., 22 vjeç, A.R., 21 vjeç, V.S., 20 vjeç, J.T., 22 vjeç, banues në Hardhishtë, Shijak i kanë kanosur dhe kanë qëlluar me armë zjarri në ajër. Gjatë kontrollit të ushtruar, në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 2 gëzhoja model 56. Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprime të mëtejshme për veprat penale “Kanosja “në bashkëpunim, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”.

Korçë – Goditen dy raste të kultivimit të bimëve narkotike. Në Korçë, arrestohet në flagrancë shtetasi H.Z., 63 vjeç, banues në Vlorë, pasi dyshohet se ka kultivuar në fshatin Kreshovë, një sasi bimësh narkotike të dyshuara CanNabis, të cilat Policia i gjeti gjatë kontrolleve dhe I sekuestroi në cilësinë e proves materiale, së bashku me një armë gjahu pa leje, që ky shtetas posedonte në banesën e tij. Lidhur me këtë ngjarje, u proceduan penalisht në gjendje të lirë 1 teknik pyjesh, roja dhe kryetari i fshatit Krushovë, konkretisht shtetasit M.B., 64 vjeç, F.B., 55 vjeç, K.N., 66 vjeç, për veprat penale “Shpërdorim detyre” dhe “Moskallëzim krimi”, pasi dyshohet se kanë shpërdoruar detyrën duke mos bërë kallëzimin e krimit, pranë organeve përkatëse. Ndërsa në Maliq, filloi procedimi penal ndaj Drejtorit të Policisë Pyjore, 3 inspektorëve, si edhe një tekniku pyjesh për veprën penale “Moskallëzim krimi”, konkretisht shtetasve M.N., 34 vjeç, inspektorëve E.Q., 37 vjeç; J.LL., 38 vjeç dhe K.M., 36 vjeç, si edhe teknikut Q.C., 64 vjeç, pasi dyshohet se këta shtetas, nuk kanë kallëzuar pranë organeve përkatëse, për një sasi bimësh të dyshuara narkotike Cannabis, të cilat Policia i gjeti të kultivuara, gjatë kontrolleve të ushtruara në territorin e fshatit Lozhan. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Korçë, për veprime të mëtejshme.

 

Ndërkohë gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 114 shtetas, konkretisht: 24 janë arrestuar, 8 janë ndalur dhe 82 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë kapur 4 shtetas pasi ishin shpallur në kërkim, për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 17 raste, konkretisht: 7 në qarkun Tiranë, 1 në Fier, 3 në Vlorë, 1 në Korçë, 3 në Gjirokastër, 2 në Shkodër.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 12 raste, konkretisht: 3 raste të “Kanosja”, 1 në Tiranë, ku autori është arrestuar në flagrancë, 1 në Berat dhe 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 2 raste të “Plagosja e lehtë me dashje”, 1 në Durrës dhe 1 në Elbasan; 6 raste të “Dëmtime të tjera me dashje”, 2 në Durrës, 1 në Berat, 2 në Vlorë, 1 në Lezhë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë; 1 rast i “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, në qarkun Korçë, ku autori është arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar 5 raste të veprës penale “Dhuna në familje”, konkretisht: 2 në qarkun Lezhë, me 1 autor të arrestuar në flagrancë dhe 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë; 1 në Durrës dhe 2 në Fier, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë, si edhe  janë plotësuar 19 kërkesë – padi për lëshim të menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 14 raste, konkretisht: 1 në Tiranë, ku autori është ndaluar; 1 në Korçë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë, si edhe 12 raste të tjera, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 8 raste të veprës penale “Ndërtimi pa leje”, konkretisht: 3 në qarkun Tiranë, 3 në Fier, 1 në Vlorë, 1 në Gjirokastër, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e shkatërrimit të pronës me zjarr janë evidentuar 3 raste, 1 në Korçë dhe 2 në Fier, për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Është evidentuar 1 rast i “Organizimi i lotarive të palejuara”, në qarkun Tiranë, ku autori po procedohet në gjendje të lirë.

Janë evidentuar 2 shtetas që kanë kaluar kufirin në mënyrë të paligjshme, të cilët po procedohen në gjendje të lirë.

Në të gjithë territorin janë evidentuar 6 raste aksidentesh, me 8 të lënduar jashtë rrezikut për jetën.

Janë evidentuar dhe proceduar 2 shtetas që drejtonin mjetin në gjendje të dehur, 1 në Tiranë dhe 1 në Fier, të cilët janë arrestuar në flagrancë.

Janë evidentuar dhe proceduar 7 shtetas që drejtonin mjetin pa leje drejtimi, 5 në Tiranë dhe 2 në Elbasan.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.

Në gjithë territorin vijon operacioni për evidentimin dhe ndëshkimin e personave që merren me organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit.