109-vjetori i krijimit të Policisë së Shtetit

Fjala përshëndetëse e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Gledis Nano, me rastin e 109-vjetorit të krijimit të Policisë së Shtetit.

I nderuar zv.kryetar i Komisionit të Sigurisë Kombëtare,
I nderuar z. Ministër i Brendshëm,
Të nderuar zv.ministra,
Të nderuar përfaqësues të misioneve ndërkombëtare që asistoni Policinë e Shtetit,
Të nderuar familjarë të Dëshmorëve të Policisë,
Të nderuar kolegë dhe të ftuar,

13 janari nuk është thjesht një datë, por në çdo rast ajo krijon një ngjarje të veçantë për ne, si pjesë përbërëse e Policisë, por edhe për mbarë komunitetin në të gjitha qarqet e Shqipërisë.

109 vite më parë, pikërisht më 13 janar të vitit 1913, Qeveria e Përkohshme e Vlorës, mori Vendimin për Krijimin e Forcave të Rendit (Policisë dhe Xhandarmërisë). Siç edhe koha e tregoi, kjo forcë u krijua nga njerëz jo vetëm që e donin këtë vend, por edhe besuan se fati i tij ishte dhe do të mbetej në duart dhe në vizionin e bashkëkombasve të tyre.

Ata që e përfaqësuan denjësisht ndër vite këtë armë të rëndësishme, ishin njerëz dhe profesionistë me integritet të lartë moral dhe profesional, të cilët shkrinë jetët dhe vitet e tyre me rritjen vit pas viti dhe ekzistencën e Policisë së Shtetit Shqiptar.

Kështu u ndërtua dhe vijon historia e armës së Policisë, e cila epokë pas epoke dhe rend pas rendi, ia doli mbanë të përvijojë rolin dhe praninë e saj në konsolidimin e shtetit, rendit, sigurisë dhe virtyteve humane e demokratike.

Të gjithë jemi të vetëdijshëm se Policia e sotme nga ajo e dikurshme ka ndryshuar tepër. Ky transformim nuk erdhi rastësisht dhe s’mund t’i përkasë inercisë. Ajo u farkëtua mbi përkushtimin, profesionalizmin, atdhedashurinë dhe sakrificat e disa brezave.

Sot kemi një Polici më të arsimuar, më të trajnuar, të mirëpajisur me logjistikë dhe në një moshë më të re, por mbi të gjitha me mentalitet e filozofi në të mirë ndaj qytetarëve dhe të ardhmes së vendit. Policia e Shtetit në këtë 109-vjetor vjen e motivuar nga besimi i qytetarëve, të cilët besojnë dhe mbështesin Policinë e tyre duke bashkëpunuar mes njëri-tjetrit për të krijuar një ambient social më të sigurt për fëmijët tanë.

Policia e Shtetit është në krah të partnerëve, duke dhënë e duke marrë besim të ndërsjellë, e mbi të gjitha e barabartë. Ajo ka realizuar qindra operacione kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit. Bazuar në këta tregues, Policia e Shtetit aderon në shumë agjenci ligjzbatuese ndërkombëtare dhe të gjitha këto i ka fituar me shumë mund, përkushtim e vetëdije të plotë për protagonizmin e saj në shoqërinë e sotme.

Historia 109-vjeçare e tregon qartë sakrificën e punonjësve të Policisë, pasi gjatë këtij rrugëtimi, Policia e Shtetit shënon edhe numrin më të lartë të të rënëve në krye të detyrës.

Në një datë si kjo, kur jo vetëm Policia e Shtetit, por mbarë vendi nderon rolin dhe kontributin e kësaj strukture të rëndësishme që synon e përpiqet të garantojë normalitetin në vijimësinë e jetës dhe veprimtarisë shoqërore, të gjithë përulemi para jetës dhe veprës së atyre që arritën të shmangnin apo të zvogëlonin pasojat e tragjedive në shoqërinë tonë.

Është datëlindja e Policisë së Shtetit, momenti i duhur për të shprehur mirënjohjen e pakursyer, para emrave të atyre punonjësve të policisë, që qëndrojnë mbi kohën dhe jetuan fizikisht mbi këtë tokë, të cilët me kalimin e kohës, për ne kolegët dhe pasardhësit e tyre janë shndërruar në një dekalog që përfaqëson forcën dhe qëndresën gati mbinjerëzore në disa nga periudhat më kritike për të ardhmen e vendit tonë.

Një thënie e vjetër, gati sa historia e qytetërimit thotë se: “E gjithë jeta e njeriut është një udhë!” E pra, sot do të jenë disa udhë të tilla, që ne po i pagëzojmë me emra martirësh, mbi të cilat do të kalojnë e pikëtakohen gjenerata të ndryshme, gjurmët e të cilave drejtohen gjithmonë e më tepër nga e ardhmja.

Pas kësaj ceremonie, jo vetëm në Tiranë, por në disa qarqe të vendit, disa rrugë që nga sot e tutje, me iniciativë të Policisë së Shtetit dhe mbështetje të pushtetit vendor, do të pagëzohen me emrat e policëve të rënë, dhe kjo na jep një tjetër ndjesi e motivim.

Jo vetëm do të njohim e të kuptojmë përjetësinë e këtyre emrave, por me gjasë do të na duhet të shohim se ata më tepër se kushdo tjetër, do të vijojnë në një tjetër formë, misionin e tyre në komunikimin e përditshëm me qytetarët, duke qëndruar si etalone të kujtesës, në mbrojtje dhe edukimin e tyre me vlerat me të larta morale, qytetare e patriotike.

I përjetshëm do të jetë kujtimi i tyre!

Të nderuar kolegë,

Sytë dhe vëmendja e qytetarëve janë më së shumti të drejtuara nga ne, duke na qortuar për gabimet dhe duke na motivuar e shtyrë të reflektojmë për të bërë detyrën sa më mirë, që në rrugët e vendit të ketë sa më pak aksidente rrugore, sa më pak krime e sa më shumë siguri në shkolla, kopshte, parqe, lokale, banesa e kudo.

Ndaj, le të punojmë me të gjitha mundësitë e kapacitetet tona, të mos e shpërdorojmë këtë besim dhe pa dashur të vrasim shpresën e së ardhmes duke treguar neglizhencë apo arrogancë. Është koha të fitojmë edhe më shumë vetëbesim e të reagojmë plot siguri e maturi që t’ju ofrojmë qyetarëve një shërbim sa më cilësor, të tregohemi humanë e social dhe me kulturë me qytetarët, por dhe të vendosur e të ashpër me shkelësit e ligjit. Vetëm kështu do t’ia dalim që brezat që do të vijnë, të na kujtojnë e respektojnë për vlerat që mundëm të krijonim, kontributin e sakrificat tona për të krijuar një të ardhme të sigurt për veten dhe fëmijët tanë.

Ta gëzojmë festën që tanimë e kaloi një shekull të tërë, të nderuar kolegë e qytetarë të vendit tonë!

Gëzuar!