Raporti ditor i ngjarjeve, Policia e Shtetit, 11 janar 2022

Strukturat e Policisë së Shtetit janë të angazhuara për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

DVP Shkodër – Finalizohet operacioni policor i koduar “Investigation”, për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje. Operacioni nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në bashkëpunim me Forcën Operacionale dhe “Shqiponjat”. Reklamonin drogë dhe armë në rrjetet sociale, identifikohen dhe vihen në pranga 3 shtetas. Sekuestrohen 2.3 kg lëndë e dyshuar cannabis sativa, 1 armë zjarri, fishekë luftarak, 2 aparate celulare dhe 1 automjet. Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve dhe armëmbajtjes pa leje, pas një pune investigative të pandërprerë për 2 vëllezër që shpërndanin video dhe foto të armëve dhe lëndëve narkotike në rrjetet sociale, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Forcën Operacionale dhe “Shqiponjat” e DVP Shkodër, finalizuan operacionin policor të koduar “Investigation”, në kuadër të të cilit u arrestuan në flagrancë shtetasit:  F. M., 18 vjeç, E. M., 21 vjeç (vëllezër) dhe babai i tyre, shtetasi G. M., 50 vjeç, banues në fshatin Bardhaj, Njësia Administrative Rrethina, Bashkia Shkodër. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e këtyre shtetasve u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 2 kg e 34 gramë lëndë e dyshuar narkotike cannabis sativa, 1 armë zjarri, fishekë luftarak, 2 aparate celulare dhe 1 automjet. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve“, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Pastrimi i produktit të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Mirditë – Goditet një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve. Sekuestrohen 3 kilogramë e 200 gramë lëndë narkotike e dyshuar cannabis sativa, vihet në pranga poseduesi. Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e prodhimit dhe shitjes së narkotikëve, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative për një shtetas që qarkullonte me automjet dhe posedonte lëndë narkotike, shërbimet e DVP Lezhë, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Mirditë, kanë organizuar punën dhe në Reps, Mirditë, kanë lokalizuar mjetin e dyshuar, me drejtues shtetasin D. L. Gjatë kontrollit në mjet, shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestruar 3 kilogramë e 200 gramë lëndë narkotike të dyshuar cannabis sativa. Në vijim të veprimeve, specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Lezhë bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit D. L., 24 vjeç, banues në Reps, Mirditë. Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Gjatë 24 orëve të fundit në të gjithë vendin janë proceduar penalisht 76 shtetas, konkretisht: 2 janë ndaluar, 29 janë arrestuar në flagrancë dhe 45 po procedohen në gjendje të lirë.

Janë ndaluar 2 shtetas, pasi ishin shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale.

Në fushën e narkotikëve janë evidentuar 13 raste, me 7 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 8 autorë që po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e krimeve ndaj personit janë evidentuar 3 raste: 1 rast i “Kanosja”, në Lezhë, 1 rast i “Plagosja e lehtë me dashje”, në Durrës, dhe 1 rast i “Dëmtime të tjera me dashje”, në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Në fushën e dhunës në familje janë evidentuar 9 raste, me 6 autorë të arrestuar në flagrancë dhe 4 autorë që po procedohen në gjendje të lirë. Janë plotësuar 13 kërkesë-padi për lëshimin e menjëhershëm të urdhrit të mbrojtjes.

Në fushën e vjedhjes së pronës janë evidentuar 11 raste, 2 raste në Tiranë, me 2 autorë që po procedohen në gjendje të lirë, dhe 9 raste për të cilat po punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve.

Janë evidentuar 6 raste të ndërtimit pa leje, 2 në Elbasan, 1 në Korçë, 2 në Fier dhe 1 në Vlorë, ku autorët po procedohen në gjendje të lirë.

Janë proceduar penalisht 2 shtetas, për shkatërrim prone 1 në Vlorë dhe 1 në Lezhë.

Në Durrës janë arrestuar në flagrancë 3 shtetas dhe është shpallur në kërkim 1 tjetër, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.

Në Dibër janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme e pyjeve”.

Në Fier janë proceduar penalisht 2 shtetas, për veprën penale “Prerja e paligjshme  e pyjeve”.

Në Berat është proceduar penalisht 1 shtetas, për veprën penale “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë” dhe “Prishja e qetësisë publike” dhe 1 shtetas tjetër, për “Organizimi i lotarive të palejuara”.

Në Lezhë është arrestuar në flagrancë 1 shtetas për veprën penale “Kundërshtimi i punonjësit të policisë” dhe është proceduar penalisht 1 tjetër, për veprën penale “Vetëgjyqësia”.

Në Elbasan janë proceduar penalisht 2 shtetas, 1 për “Dhunimi i banesës” dhe 1 për “Fshehja e të ardhurave”.

Në të gjithë vendin kanë ndodhur 2 aksidente, me 4 persona të lënduar që ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Janë proceduar penalisht 3 shtetas, për veprën penale “Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor”.

Janë arrestuar në flagrancë 8 drejtues mjetesh, për drejtim mjeti në gjendje të dehur.

Janë proceduar penalisht 2 drejtues mjetesh dhe është arrestuar në flagrancë 1 tjetër, për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

Policia Rrugore këshillon drejtuesit e automjeteve që gjatë lëvizjes të moderojnë shpejtësinë, të mos përdorin celularin, të vendosin rripin e sigurimit, si dhe të respektojnë rregullat e qarkullimit.