Goditet një tjetër rast i ushtrimit të veprimtarisë së paligjshme të lojërave të fatit.
Vihen në pranga 3 shtetas. Sekuestrohen ruleta, tavolina dhe aparate elektronike që përdoren për zhvillimin e lojërave të fatit.
Në vijim të operacionit “Fati i lojërave”, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se në një ambient të marrë me qira nga një shtetase, në lagjen nr.13, Durrës, po ushtrohej veprimtaria e kundërligjshme e lojërave të fatit, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Durrës, kanë organizuar punën dhe si rezultat kanë bërë të mundur evidentimin dhe goditjen e kësaj veprimtarie të paligjshme.
Si rezultat u bë arrestmi në flagrancë i shtetasve:
M. O., 48 vjeç, R. C., 33 vjeç dhe S. S., 38 vjeç, të tre banues në Durrës.
Gjithashtu u bë shpallja në kërkim e shtetases R. Z., e cila kishte marrë me qira ambientin ku zhvilloheshin lojërat e fatit.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 93 aparate elektronike që shërbenin për lojërat e fatit, 4 tavolina dhe 4 ruleta.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprat penale “Organizimi i lotarive të palejuara” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”.